Agjencia e Filmit ka shpallur konkursin vjetor për financimin e filmave me metrazh të gjatë dhe të shkurtër, artistikë, dokumentarë e të animuar.

Prioritet do t’i jepet atyre projekteve filmike që krahas cilësisë artistike posedojnë edhe potencialin e qarkullimit, afirmojnë Maqedoninë, janë tematike universale dhe në një formë pasqyrojnë rrjedhat e jetës në të gjitha kuptimet, ashtu si edhe projekte filmike autentike nga autorë me renome, autorë të rinj – debutues dhe kooproduksione të vogla të cilat do të kontribuojnë në avancimin e kinematografisë maqedonase, thuhet në njoftimin në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Konkurrimi shtrihet në dy afate, i pari zgjat deri në 12 mars, ndërsa afati i dytë deri në mesin e muajit gusht. Konkursi i saposhpallur është një mundësi konkurrimi edhe për të gjithë ato kineastë e produksione, projektet e të cilëve u refuzuan në konkursin e vitit të kaluar, i cili pas anulimit dhe rishpalljes pak kohë më parë, i publikoi rezultatet me gati një vit vonesë.