Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë dhe njëkohësisht alarmon opinionin publik se qeveria LSDM dhe BDI jo se nuk e ka ndërmend ta reformojë sistemin e drejtësisë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, po ky koalicion e trafikon drejtësinë në interes të pazareve politike.

Partia vlerëson se këtë më së miri e dëshmon edhe vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e deputetëve të VMRO-së të cilët janë të dyshuar dhe të akuzuar për ngjarjen e 27 Prillit gjatë sulmit ndaj Kuvendit dhe deputetëve të tij, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Ky institucion më i lartë gjyqësor i cili udhëhiqet nga Jovo Vangelovski, i zgjedhur në kohën VMRO-BDI, ka qenë ndër katalizatorët kryesor të shumë proceseve të montuara politike.

Gjykata Supreme dhe udhëheqësit e saj, kanë plotësuar një kërkesë politike të VMRO-së e cila ka kushtëzuar kthimin e deputetëve të saj në Kuvendin e RM-së.
Dënojmë ashpër këto pazarllëqe që sot i bën BDI –LSDM dhe VMRO, duke inskenuar show mediatik me arrestime filmike, ndërsa pas një kohe këto paraburgime përfundojnë më arreste shtëpiake siç është rasti i ish ministrit Mitko Çavkov dhe i deputetëve tjerë të përfshirë në ngjarjen e përgjakshme të 27 Prillit”.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Qeveria LSDM dhe BDI nuk ka kapacitet dhe vullnet politik për ta reformuar sistemin e drejtësisë, aq më tepër kur kryetarë të gjykatave të larta janë zgjedhur në kohën e VMRO-BDI-së dhe të njëjtit sot nuk mund ti shërbejnë drejtësisë e aq më pak të ndajnë drejtësi. /SHENJA/