Rasti i Almirit edhe një herë po tregon se maqedonasit që moti kanë ngritur duart nga Maqedonia si një shtet i përbashkët me shqiptarët. Ata me veprimet e tyre, si individuale por edhe institucionale, po e vrasin Maqedoninë vetëm pse duhet të jetë edhe shqiptare, ashtu si e vranë edhe Almirin vetëm pse ishte shqiptar

Nga Bilall KASAMI

Në Maqedoni, në vazhdimësi është derdhur gjaku i shqiptarëve të pafajshëm të të gjitha moshave, që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme. Por, rasti i Almirit është rasti më tipik i ndërlidhjes së fatit të shqiptarëve me atë të shtetit.

Tanimë, gjithnjë e më të shumtë janë zërat se Maqedonia po rilind si një shtet i ri, një shtet ku edhe shqiptarët po faktorizohen si një popull shtetndërtues. Edhe përkundër faktit se kemi një emigrim të popullsisë shqiptare, që në momente mund të llogaritet edhe shqetësues, përsëri trendet demografike janë në favor të shqiptarëve. Shqiptarët, me një popullsi të re dhe me tre universitete në gjuhën amtare, padyshim se janë e ardhmja e këtij shteti.

Për më shumë, maqedonasve ju ndodh ajo që i ndodh çdokujt që ballafaqohet me një fobi të caktuar. Ashtu sikurse edhe individi kur ballafaqohet me një situatë fobie e humb racion dhe rrjedhimisht edhe kontrollin mbi vetveten dhe veprimet e tij, edhe maqedonasit më mirë se vetë shqiptarët e kanë kuptuar se e ardhmja e Maqedonisë është vetëm me shqiptarë të barabartë, por këtë ende nuk janë të gatshëm ta pranojnë.

Vrasja e Almirit ka ndodhur në situatë të një konflikti në mes të familjes së tij dhe vrasësit dhe jo rastësisht personat e përfshirë në këtë konflikt ju përkasin etnive të ndryshme. Ballafaquar me një realitet të pamohueshëm se vrasja ka ndodhur me paramendim, si rezultat i një sulmi me veturë ndaj familjes së Almirit nga ana e vrasësit, pas një konflikti paraprakë verbal. Në kushtet kur gati se i gjithë opinioni vendës i ka parë më shumë se një herë pamjet filmike të vrasjes së këtij vogëlushi, prokurori i ri, i cili u votua në parlament edhe nga disa shqiptarë dhe i cili duhej të kishte prioritet rikthimin e besimit te institucioni që drejton, ai bëri një veprim që jo vetëm se e vrau Almirin për herë të dytë, por u kujdes që me veprimin e tij t’i jap edhe goditjen e radhës të ardhmes së Maqedonisë.

Ashtu si edhe vrasja e Almirit, edhe vrasja e Maqedonisë po ndodh me paramendim. Derisa vrasja fizike e Almirit ka ndodhur nga një person dhe në kushte kur duhej të veprojnë institucionet për të vënë drejtësinë në vend, ndodhi edhe vrasja e dytë e këtij vogëlushi të pafajshëm. Ngjashëm edhe me rastin e Maqedonisë, përderisa prokurori si individ mund edhe të ketë bindje raciste ndaj shqiptarëve, me çka duke keqpërdor një institucion kaq të rëndësishëm po vret besimin e qytetarëve, janë institucionet e tjera të shtetit ata që po e vrasin të ardhmen e Maqedonisë, me përkrahjen në heshtje të një veprimi të tillë nga ana e prokurorit.

Dhe mesazhi është më se i qartë. Shqiptarët janë të padëshiruar në institucionet e shtetit që drejtohen nga maqedonasit dhe ata duhet vepruar ngjashëm si edhe në rastet e tjera që nuk janë të pakta. Këtu do të përmend vetëm një, që e vlerësoj të rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë. Në vitet e nëntëdhjeta, që nga pavarësimi i Maqedonisë, menjëherë shqiptarët u çuan në këmbë që të kërkojnë një të drejtë që me të gjitha konventat ndërkombëtare llogaritet si e drejtë elementare njerëzore, të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare. Atëherë, kur pritej një përkrahje nga bashkëqytetarët e etnitetit maqedonas për një kërkesë kaq fisnike, ne u ballafaquam me të rinj, të mbështetur edhe nga profesorët e tyre, që protestonin kundër shkollimit të shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare.

Atëbotë, ashtu si sot, qasja e maqedonasve edhe si qytetarë, por edhe si bartës të institucioneve shtetërore ishte dhe mbeti qasje antishtetërore. Një qasje shtetërore do të nënkuptonte që në ballë të kërkesës së shqiptarëve për shkollim në gjuhën amtare duhej të qëndronin maqedonasit, kurse institucionet e shkollimit të lartë do të duhej që t`i hapnin dyert dhe t`i prisnin krah hapur të rinjtë shqiptarë. Me këtë do t`u mundësonin shqiptarëve shkollim në gjuhën amtare, duke studiuar në ambiente të përbashkëta me kushte të barabarta me moshatarët e tyre maqedonas. Njëherësh, do të studionin në programe të njëjta dhe për një shtet që të gjithë do ta ndjenin si të vetin, pa marrë parasysh dallimet etnike.

Por, kjo nuk ndodhi. A thua vallë maqedonasit me rezistencën e tyre ia arritën që t`ua mohojnë shqiptarëve të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare. Sigurisht që jo. Sot, njëzet vite më vonë shqiptarët kanë hiç më pak se tre universitete në gjuhën amtare. Por vallë a mësojnë me të njëjtat programe studimore si moshatarët e tyre maqedonas? A mësojnë për një Maqedoni të njëjtë si moshatarët e tyre maqedonas? A mësojnë me kushte të njëjta si moshatarët e tyre maqedonas? Sigurisht që përgjigja në këto dhe shumë pyetjet të tjera të kësaj natyre është një JO e madhe. Tanimë shqiptarët mësojnë për një Maqedoni që duhet ndërtuar nga fillimi si një shtet edhe i tyre po aq sa i maqedonasve. Një Maqedoni që shpejt do të duhet të flasë edhe shqip, sepse këta studentë të sotëm, burrështetas të së nesërmes, as që e ndjejnë nevojën dhe më së paku e kanë dëshirën që të mësojnë gjuhën e bashkëqytetarëve të tyre maqedonas. Njëjtë siç kanë vepruar moshatarët e tyre maqedonas me dekada të tëra, duke jetuar me shqiptarët dhe duke mos mësuar edhe gjuhën e tyre.

Dhe sot, me rastin e vrasjes së Almirit, shqiptarët marrin mësimin e radhës nga bashkëqytetarët e tyre maqedonas. Almiri po bëhet kurban i një sistemi të drejtësisë që duhet ndërtuar nga vetë ata edhe përkundër rezistencës së maqedonasve, ashtu si Abdyselam Emini që u bë kurban i arsimit të lartë në gjuhën shqipe dikur. Reagimi i katër prokurorëve shqiptarë dhe e gjithë ajo që do të pasojë mund të jenë vetëm hapja e kutisë së Pandorës.

Sa më parë që maqedonasit e pranojnë se detyrimisht shqiptarët po ndërtojnë të ardhmen e tyre si të barabartë në këtë shtet të përbashkët, aq më mirë do të bëhet për të gjithë ne, pa marrë parasysh cilës përkatësi i takojmë. Si në rastin e shkollimit në gjuhën shqipe edhe sot, o do të ketë sistem të drejtësisë që do të ndajë drejtësi edhe për shqiptarët, as më pak e as më shumë po njëjtë si për maqedonasit, ose shqiptarët do fillojnë me themelimin e gjykatave dhe prokurorive të tyre, sado që kjo sot mund të duket diçka absurde.

Por, rasti i Almirit edhe një herë po tregon se maqedonasit që moti kanë ngritur duart nga Maqedonia si një shtet i përbashkët me shqiptarët. Ata me veprimet e tyre, si individuale por edhe institucionale, po e vrasin Maqedoninë vetëm pse duhet të jetë edhe shqiptare, ashtu si e vranë edhe Almirin vetëm pse ishte shqiptar.

Pra, Almiri le të jetë simboli i një ndërgjegje të kthjelluar individuale dhe institucionale të maqedonasve që përfundimisht të ulen me shqiptarët e të merren vesh se pajtohen që të ndërtojmë këtë shtet të barabartë. Një Maqedoni që do të ketë një identitet të ri, pse jo edhe emër të ri, dhe emri i Almirit do të ishte një emër që do të duhej ta mbaj me nderë edhe shteti. Një emër që gjithmonë do të na përkujtonte të gjithëve se sa afër ishim që t`i lejojmë maqedonasit që ta vrasin shtetin, vetëm se po ballafaqohen me fobinë e tyre se shqiptarët po jua marrin atë./koha.mk