20 persona që merrnin pjesë në një ceremoni dasme në Jemenin e veriut, përfshirë këtu nusen, raportohen të jenë vrarë në një sulm ajror.

Mjekët raportojnë se më tepër se 30 persona të tjerë janë plagosur nga sulmi mbrëmjen e së dielës në rajonin e Bani Qais.

Lëvizja rebele “Houthi” fajësoi për këtë ngjarje koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë e Jemenit në luftën civile 3-vjeçare.

Ndërkohë që, një zëdhënës i koalicionit ka deklaruar se ngjarja do të “hetohet plotësisht”, duke theksuar se civilët nuk kanë qenë në asnjë moment objekt i shënjestrës së tyre.

Por grupet për të drejtat e njeriut i akuzojnë se jo pak herë kanë bombarduar markete, shkolla, spitale dhe zona rezidenciale.