Tema e deportimit të gylenistëve edhe më tutje nuk po mbyllet. Për këtë skandal, po krijohet komision parlamentar për t’i gjetur fajtorët. LDK-ja ka vendosur të shkojë më tutje duke e çuar në Gjykatë Kushtetuese Presidentin Hashim Thaçi duke u bazuar në falënderimin që Erdogani, i bëri për bashkëpunimin në arrestimin dhe ekstradimin e jashtëligjshëm të gylenistëve. Por a do të mjaftojë deklarata e Erdoganit që ta vërtetojë Thaçin si komandues dhe fajtor për kidnapimin dhe dëbimin e gylenistëve?
Unanimisht në Kuvend u votua rezoluta për krijimin e komisionit që do të hetojë deportimin e gjashtë shtetasve turq. Që Thaçi ishte kreatori i operacionit të kidnapimit të gylenistëve është thënë edhe në Kuvend nga deputetët.

Për herë të parë PDK-ja e Kadri Veselit votoi pro hetimit edhe për faktin që Hashim Thaçi mund të konfirmohet zyrtarisht se kishte urdhëruar dhe kishte bashkëpunuar për kryerjen e këtij operacioni. Pra, vota e PDK-së pro komisionit hetimor erdhi pas deklaratave të ashpra të Veselit për deportimin e gylenistëve që adresën e vetme e kishin Thaçin.

Komisioni i miratuar nga Kuvendi, siç tregon shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, do të thërrasë për të raportuar të gjithë akterët në operacionin e deportimit të turqve.

“Ai komision duhet të thërrasë në raportim të gjithë zinxhirin komandues. Është AKI-ja, Policia, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Infrastrukturës. Të gjithë personat e involvuar direkt ose indirekt”, ka thënë Hoti në konferencën e përjavshme të LDK-së.

Ky komision nuk mund ta përfshijë presidentin Thaçi, por LDK-ja është përkujdesur që për të parin e vendit të ankohet në Gjykatën Kushtetuese për tejkalim të kompetencave të tij. E, a ka fakte të mjaftueshme që Thaçi shkeli Kushtetutën?

Deputetja Vjosa Osmani në “DTP te Fidani“ të enjten mbrëma, ka thënë se konferenca e Presidentit Thaçi e mbajtur të dielën ku ai arsyetoi deportimin e shtetasve turq, tutje falënderimi që i erdhi atij nga Recep Tayyip Erdogan, janë fakte të mjaftueshme që tregojnë se pas arrestimit të gylenistëve qëndron Presidenti.

Osmani ka thënë se shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti dëshmohen “në bazë të konferencës së tij për shtyp, por edhe falënderimit të drejtpërdrejtë të Erdoganit kundrejt tij”. Pastaj deputetja thotë se “edhe raporti i AKI-së bazohet në të pavërteta sepse thotë se ata janë deportuar pasi nuk kanë pasur lejeqëndrim, por e vërteta është krejt ndryshe”.

Osmani, po ashtu, ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që t’u bëjë presion ministrave të tij që kur të dalin para komisionit hetimor të raportojnë duke respektuar Kushtetutën dhe Kuvendin, në mënyrë që të kuptohet e vërteta rreth historisë së urdhërdhënies për kidnapimin e gylenistëve dhe dorëzimin e tyre te Erdogani.