Katër vende evropiane mesdhetare do të ndërmarrin një iniciativë në muajin qershor për të identifikuar mijëra emigrantë që kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë kalimit përmes detit drejt vendeve të tyre.

Italia, Greqia, Malta dhe Qipro, ndër vendet të goditura më tepër nga valët e emigrantëve nga Siria dhe Libia apo Afrika, do të mblidhen më 11 qershor në Romë për të diskutuar planin, tha të mërkurën Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP).

“Në qoftë se ne kemi sukses në nisjen e kësaj iniciative, kjo do të jetë historike”, tha drejtoresha e ICMP-së, Kathryne Bomberger në Hagë, ku është e vendosur organizata ndërqeveritare.

Mes krizës më të madhe të emigrantëve që ka goditur Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore, Italia ka rimarrë vetëm rreth 8 000 kufoma nga ujërat e Mesdheut gjatë dekadës së fundit, tha ICMP.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve ‘AFP’, bashkëpunimi midis shteteve do të ndihmojë në përcaktimin e saktë të numrit të të zhdukurve dhe të vdekurve, të mbijetuarve dhe vendndodhjen e trupave, tha Bomberger. Ndërkohë, ajo shtoi më tej se vendet e Mesdheut Jugor si Libia dhe Egjipti gjithashtu duhet të ftohen si vëzhgues në bisedime.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, që nga fillimi i vitit, gati 18 000 emigrantë kanë mbërritur në Evropë përmes detit, ndërsa rreth 559 vetë janë raportuar të vdekur ose të humbur.

“Sot ka kaq shumë diskutime për të dhënat, diskutimet që unë mendoj se janë mjaft negative… por të dhënat gjithashtu kanë përfundime pozitive”, tha Bomberger në një takim me korrespondentët e huaj.

Zvicra ka dhuruar rreth 400 000 dollarë (323,000 euro) për financimin e këtij projekti, shkruan scan.tv.

ICMP u krijua nga konfliktet në ish-Jugosllavi dhe është ngritur në 1996 në Sarajevë. Duke përdorur metoda gjithnjë e më të sofistikuara të hulumtimit të ADN-së, ajo tashmë ka arritur të identifikojë rreth 70 për qind të 40 000 njerëzve që u zhdukën në konfliktet e Ballkanit të viteve 1990, duke përfshirë 90% të 8 000 të vrarë në masakrën e Srebrenicës në 1995.

Por gjatë viteve të fundit, ajo gjithnjë e më shumë ia ka kushtuar ekspertizën e saj tragjedive të tjera, siç është tsunami i Oqeanit Indian 2004 apo uragani Haiyan i cili goditi Filipinet në nëntor 2013.