Vendi dhe qytetarët e merituan rekomandimin e pakushtëzuar. Anëtaret e BE-së e njohën punën e realizuar. Këtu jam që t’i paralajmëroj lajmet e mira të shumëpritura, për ta shënuar suksesin pas angazhimeve të gjata për tejkalimin e krizës, theksoi eurokomisari Han në dorëzimin e Raportit të KE-së për progresin e Maqedonisë, kryeministrit Zoran Zaev.

Vendi kaloi nëpër një rrugë të gjatë edhe krahas sfidave të shumta dhe tani ndodhet fuqishëm në rrugën evropiane. Ka ndryshim pozitiv, është ripërtërirë ndjenja e transparencës, energjisë dhe shpresës. Ndjehen vibrimet e mira në vend dhe kjo duhet të shpërblehet”, thotë Han.

Theksoi se Maqedonia është shembull për ndryshime demokratike në rajon dhe se është i impresionuar nga ajo që është realizuar lidhur me prioritetet reformuese urgjente.

Sinqerisht u uroj Juve, Qeverisë, Parlamentit dhe opozitës për mbështetjen e këtij qëllimi kombëtar”, tha Han në konferencën e përbashkët për shtyp me Zaevin.

Porositi se reformat nuk duhet të ndalen këtu, por të vazhdojnë, veçanërisht në gjyqësi.

Kryeministri Zaev tha se marrja e rekomandimit të pastër është një motiv i fortë për arritjen e objektivit të vështirë, por të arritshëm – fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Do të punojmë edhe më energjikisht që në qershor të marrim datën për negociatat. Vazhdojmë me reformat thelbësore edhe pas Planin 3-6-9 do të konfirmojmë një plan të ri të reformave, theksoi Zaev.

Ai i falënderoi vendet e BE-së që e përkrahën Maqedoninë si dhe qytetarët e Maqedonisë dhe OJQ sektorin dhe të gjithë faktorët e tjerë për përpjekjet e përbashkëta.

KE-ja e ka vlerësuar atë që është punuar. Në dy raportet e kaluara për shkak të krizës politike dhe shtetit të robëruar, rekomandimet ishin suspenduar dhe shteti ishte kushtëzuar me reforma dhe ambient demokratik. Sivjet rekomandimi i pastër është i pakushtëzuar Maqedonia e përmbushi kriterin bazë demokratik për fillimin e negociatave”, tha Zaev.

Ai theksoi se integrimi në BE do të nënkuptojë një klimë më të mirë biznesi, paga më të larta dhe jetë më të mirë./am/