Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur komenteve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke thënë se të gjithë duhet ta dinë se askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.

Ai këto komente i bëri në promovimin e gatesave tipike shqiptare “Shije Shqiptare”, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Haradinaj tha se shqiptarët respektojnë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, pavarësisht identitetit të tyre.

“Për ata që prej larg na gjykojnë, e para që mund t’i them se nuk na njohin atëherë, iu mungon njohja për shqiptarët, në trojet e tyre, në atdheun e tyre, bëjnë mirë të na njohin, se kurrë nuk është në traditën tonë të hyjmë në punët e shtëpisë të dikujt tjetër.

Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emër tonë në Kosovë, kemi me i bërë vetëm ne kur i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”.

I pari i Turqisë para disa ditësh kishte deklaruar se Kryeministri i Kosovës duhet të ndjejë turp për shkarkimet që ka bërë në kabinetin e tij qeverisës pas aksionit policor për deportimin e gjashtë shtetasve turq pasi pretendohet se kanë dorë në grusht-shtetin e vitit 2016-të./kk/