KE e argumentoi rekomandimin me zhvillime “shumë premtuese”. Vendimin tani e marrin shtetet anëtare.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë progres të mjaftueshëm sa Bashkimi Evropian duhet të nisë negociatat e anëtarësimit me dy shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky është rekomandimi i Komisionit Evropian i paraqitur të martën.

“Një hap përpara sot për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërinë është një hap përpara për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha shefja e politikës së jashtme të BE Federica Mogherini.

Komisioni vërejti se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë varet nga rrethana “që këto vende të ruajnë dhe të thellojnë dinamikën aktuale të reformave”.

“Të dyja vendet kanë bërë shumë në muajt e shkuar”, tha Komisari i zgjerimit i BE Johannes Hahn.
“Dhe kjo duhet të vlerësohet lart”.

Hapja e negociatave të anëtarësimit duhet të aprovohet nga shtetet anëtare të BE. Megjithatë, marrja e këtij aprovimi mund të rezultojë e vështirë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili foli para Parlamentit Evropian vetëm pak orë pas paraqitjes së rekomandimeve tha se zgjerimi duhet të paraprihet nga reformimi i BE.

“Unë do ta mbështes një zgjerim vetëm pasi të ketë ndodhur një thellim dhe një reformë e Evropës sonë,” tha ai.

“Unë nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë, por unë nuk dua një Evropë, që duke punuar me vështirësi me 28 dhe nesër me 27 anëtarë, të vendosë që mund të vazhdojë të punojnë me të njëjtat rregulla edhe kur të ketë 30 apo 32 anëtarë”.

Megjithë këtë, negociatat e anëtarësimit zgjasin shumë vjet. Ato nuk ofrojnë garanci për anëtarësi. Hahn tha se stabilizimi dhe bashkëpunimi me shtetet e Ballkanit Perëndimor është edhe në “interesin jetik” të BE.