Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e vdekjes së aktorit të serialit “O sa mirë” dhe zyrtarit komunal të komunës së Gjakovës, Art Kurti. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj ka thënë për “Zërin” se dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje

Kryeprokurori tha se prokuroria po pret ekzaminimin e trupit të viktimës dhe armës që është gjetur në veturë, me të cilën dyshohet se është kryer vepra. “I kemi dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore trupin e tij bashkë me armën, telefoni, predha që është gjetur për ekzaminim.

Ende nuk i dimë shkaqet e vdekjes, sipas hetimeve paraprake dyshohet që ka bërë vetëvrasje. Janë marrë disa veprime hetimore dhe gjatë kësaj kohe janë duke u ndërmarrë. Mirëpo, ende është herët të flasim për këtë”, tha kryeprokurori Selimaj. Kryeprokurori thotë se arma e cila është gjetur në veturën e aktorit nuk është e regjistruar. “Arma është pa leje. Arma është gjetur vetëm në automjet, të qafa e Zabelit një fshat në brezin kufitar me Shqipërinë.

Ai ka qenë i goditur në kokë, plumbi e ka shpuar kokën, duke dalë në anën tjetër dhe është gjetur jashtë veturës. Edhe ky plumb shkon në ekzaminim bashkë me gëzhojën dhe armën. Tash do e shohim nëse plumbi që e ka goditur ka qenë i armës që është gjetur në veturë, apo i ndonjë arme tjetër”, tregoi Selimaj.

Ndryshe, trupi i pajetë i aktorit Art Kurti është gjetur rreth orës 7:50 të mëngjesit të sotëm. Policia ka treguar se trupi i viktimës është gjetur në rrugën Gjakovë – Goden në vendin e quajtur Qafa e Zabelit në një veturë.