Organizata ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike ka bërë me dije se do të dërgojë një mision faktmbledhës në Siri, për të hedhur dritë mbi sulmin me substanca të dyshuara të fundjavës së kaluar. Ndërkohë, qeveria siriane është shprehur e gatshme të presë inspektorët.

Institucioni ndërkombëtar që mbikëqyr përdorimin e armëve kimike ka deklaruar se do të dërgojë një ekip faktmbledhës në Duma të Sirisë, ku fundjavën e kaluar u krye një sulm me substanca të dyshuara. Burime mjekësore deklarojnë se disa dhjetëra persona mbetën të vrarë në sulm, por numri i saktë është i pamundur të identifikohet.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, ONAK, ka nënvizuar se ekipi do të dërgohet në lokalitetin sirian së shpejti. Lajmërimi erdhi pasi Siria dhe aleati i saj ushtarak, Rusia deklaruan se ishin të gatshëm t’u lehtësonin vizitën inspektorëve. E ndërsa qeveria siriane mohon përdorimin e armëve kimike, aktivistë të opozitës, anëtarë të ekipeve të shpëtimit dhe mjekë deklarojnë se bomba e hedhur në Duma, në rajonin e Gutës lindore, ishte mbushur me materiale toksike.

Ndërkohë, Shoqata mjekësore siriano-amerikane ka deklaruar se mbi 500 persona u dërguan për ndihmë mjekësore dhe paraqitën simptoma të ekspozimit ndaj agjentëve kimikë, si: vështirësi në frymëmarrje, nxirje të lëkurës, shkumë nga goja, djegje, etj. Personat që dyshohet të kenë humbur jetën llogariten nga 42 deri në 60, por grupet që po punojnë për rekuperimin e trupave deklarojnë se bilanci mund të rëndohet./abcnews.al