Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së Federika Mogerini, më 19 prill do t’i drejtohet Kuvendit të Maqedonisë gjatë vizitës që do të realizojë në Shkup me komisionerin për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Hann.

Vizita e tyre vjen një ditë pas publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian, nga i cili Qeveria pret rekomandim të pastër për çeljen e negociatave.

Për përmbajtjen e raportit dhe çështjet tjera të procesit integrues, është biseduar edhe në takimin e sotëm në Bruksel mes Mogerinit dhe zëvendës kryeministrit për çështje Evropiane Bujar Osmani.

Në këtë takim, Osmani e ka njoftuar shefen e diplomacisë Evropiane me punën e bërë në zbatimin e planit 3-6-9, si dhe për pengesat tjera në rrugën e Euro integrimit.

Në periudhën e ardhshme sipas Osmanit, pritet edhe zgjidhje për çështjen e emrit me Greqinë, pas çka sipas tij do të mënjanohen të gjitha pengesat për inkuadrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE./am/