Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili zbriti sot në Shkup në kuadër të forumit rajonal për dixhitalizim, mund të ishte ndaluar në kufi dhe arrestuar për llogari të autoriteteve serbe.

Sikurse shumë ish pjesëtarë të UÇK-së së Kosovës, tani politikanë, Haradinaj është pjesë e listës së personave që ndiqet nga Serbia.

Autoritetet e Maqedonisë e hoqën atë nga lista e ndalimit, edhe pse, pas tij, të shtunën një tjetër skandal i mundshëm diplomatik mund të ndodhte edhe me emrin e vetë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Alsat mëson nga burimet e tij se telegrami për Thaçin, i mbërritur nga Serbia, arriti edhe të procedohej nga sektori përgjegjës për marrëdhëniet me Interpolin, në Ministrinë e Brendshme. Skandali u kap në kohë duke e zhbërë menjëherë këtë vendim, edhe pse vepra për të cilën kërkohet nga Serbia ishte për gjenocid.

Për një vepër të tillë, autoritetet e Maqedonisë, pavarësisht respektimit të marrëdhënieve bilaterale me Serbinë, nuk mund të anashkalojnë respektimin e kornizës ligjore të policisë ndërkombëtare, Interpolit, neni tre i Kushtetutës për neutralizim së saj thekson se “Është e ndaluar në mënyrë strikte për Organizatën e Interpolit të ndërmarrë ndonjë ndërhyrje ose aktivitet me karakter politik, ushtarak, fetar ose racor” në vendet anëtare të saj.

Alsat mëson nga burimet, se për procesimin e pamenduar të zyrës përgjegjëse për marrëdhëniet me Interpolin, tani po zhvillohet hetim nga Kontrolli i Brendshëm në këtë ministri, në rast të pakujdesisë apo ndonjë qëllimi tjetër të procesimit të kësaj kërkese.

Në telegramin e përpunuar nga ana e Maqedonisë theksohej se “Në rast të gjetjes, t’i privohet liria, me kujdes, dhe për të të njoftohet sektori për punë të brendshme i MPB-së për bashkëpunim policor ndërkombëtar”.

I njëjti autoritet, për të evituar skandalin, brenda orësh dërgoi tjetër telegram ku theksohej se “ndalohet ndjekja ndërkombëtare e presidentit Hashim Thaçi, pasi për të janë tërhequr arsyet e ndjekjes”.

Një akt i tillë do të përbënte një skandal më vete diplomatik me Kosovën, veçanërisht kur edhe vetë kryeministri Zaev kishte parashikuar darkë të përbashkët me kryeministrat e rajonit dhe me Shefen e Diplomacisë Evropiane Federika Mogerini.

Ndalimin e ndjekjes ndërkombëtare e konfirmoi edhe ministria e Brendshme e Maqedonisë.

“Për momentin, ndaj Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit nuk ka flet-arrest ndërkombëtar aktiv. Ata mund të lëvizin lirshëm në territorin e Maqedonisë”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas medieve, Serbia ka një listë të gjatë të shtetasve të Kosovës në ndjekje, gati 20 prej të cilëve janë ish pjesëtarë të UÇK-së, edhe pse në mars të këtij muaji, Shefi i delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë pati deklaruar në Prishtinë se Interpoli i ka hequr 18 prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga kërkimi, ndërkohë që kanë mbetur vetëm dy në ndjekje./am/