Mes morisë së përplasjeve të Donald Trump me aleatët tradicionalë europianë të Shteteve të Bashkuara është edhe marrëveshja bërthamore e nënshkruar me Iranin, kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ndodhej Barack Obama.

Atëherë kandidat për President, Trump e cilësonte “një katastrofë” pakti e arritur dhe u zotua se me të marrë detyrën do ta shfuqizonte. Nuk vonoi shumë dhe në publik, menjëherë pasi mori frenat e SHBA në dorë, Trump përmendi sanksione ndaj Teheranit dhe rishqyrtim të ujdisë,transmeton top channel.

Por, për europianët marrëveshja qëndron ende dhe Parisi e Berlini janë vënë në lëvizje për ta shpëtuar atë përmes bisedimeve direkte me Donald Trump.

Deutsche Welle thotë se janë zhvilluar dhe po zhvillohen negociata brenda të ashtuquajturit Grupi E3 – ku bën pjesë Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, si edhe Shtetet e Bashkuara. Qëllimi është arritja një kompromis që do të kënaqte kërkesat që presidenti ofroi si ultimatum në janar, kur zgjati lehtësimin e sanksioneve.

Pak ditë para se Merkel dhe Macron të udhëtojnë në Uashington, një grup ligjvënësish europianë i dërguan javën e kaluar një letër Kongresit amerikan, ku i kërkojnë të mbështesë marrëveshjen e arritur në vitin 2015.

Por përpjekjet e orkestruara europiane, sipas diplomatëve në Uashington dhe zyrtarëve të lartë amerikanë mund të e bindin Presidentin Trump që përtej 12 majit, afati i fundit, të zgjasë lehtësimet e sanksione kundër Iranit, një element kyç që kjo marrëveshje të vazhdojë të ekzistojë.

Vetë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore është shprehur disa herë se Irani i ka përmbushur detyrimet e marrëveshjes, por as raportet e kësaj agjencie, që mbikëqyr paktin, duket se nuk do ta bindin Donald Trump në vendimin e marrë.