Gjenerali në pension Wesley K. Clark është një ish-komandant suprem i NATO-s. Ai është një anëtar i lartë në Qendrën Burkle UCLA për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe CEO i Wesley K. Clark & Associates.

Por Clark i është rikthyer edhe njëherë Ballkanit ku nëpërmjet një shkrimi të publikuar në “The Washington Post“, ka porositur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që të veprojnë për ta parandaluar konfliktet në Ballkan dhe ndikimet nga Rusia dhe Trurqia.

Ai thotë se për më shumë se dy dekada ka punuar me Richard Holbrooke dhe ekipin tonë për të negociuar një fund të luftës në Bosnje. NATO dislokoi dhe më pas veproi për të ndaluar pastrimin etnik serb në Kosovë.

“Sot, tre shtete të Ballkanit Perëndimor (Kroacia, Shqipëria dhe Sllovenia) janë bërë anëtarë të NATO-s. Kroacia dhe Sllovenia janë bashkuar me Bashkimin Evropian.

Kosova tani është një vend i pavarur. Shumica e amerikanëve dhe evropianëve kanë hedhur mentalisht këtë konflikt brutal si një problem të zgjidhur. Fatkeqsishtë, kjo nuk është fare e vërtetë.

Zvarritja e konflikteve politike mbi karakterin etno-fetar të këtyre kombeve vazhdimisht kërcënon të metastasizohet në krizat kombëtare dhe rajonale, duke e bërë rajonin një objektiv kryesor për ndërhyrjen nga fuqitë e huaja.

Një përzierje e ndezshme e qeverisjes së dobët, stagnimit ekonomik dhe institucioneve të dobëta demokratike ka lënë një minoritet të vogël, por të rëndësishëm, të prekshëm nga rekrutimi i xhihadistëve të dhunshëm.

E gjithë kjo e lë rajonin të hapur për shfrytëzim nga organizatat terroriste dhe ndërhyrjet nga të huajt, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Turqinë” ka shkruar Clark.

Për ti bërë edhe gjërat më keq, thotë ish-komandanti suprem i NATO-s, rajoni po vuan nga neglizhenca e demokracive që kanë qenë vendimtare në ndaljen e luftërave në Jugosllavi.

Duke besuar se e ardhmja demokratike e Ballkanit është në BE, Shtetet e Bashkuara në masë të madhe ia kanë dorëzuar Brukselit përgjegjësinë për zhvillimin politik, institucional dhe ekonomik të rajonit.

Megjithatë, inercia politike brenda BE-së e ka mbajtur Bosnjës, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë duke pritur. Dhe, përderisa Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po flenë, fuqitë e tjera po veprojnë.

Gjenerali i pensionuar amerikan, thekson se Kremlini po e rrit vazhdimisht ndikimin e tij, ndërkohë, Turqia dhe shtetet e Gjirit po investojnë shumë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Arabia Saudite dhe fqinjët e saj të Gjirit kanë përqendruar kontributet e tyre në mbështetjen e organizatave fetare, duke ndërtuar xhami të reja dhe duke ofruar udhëzime fetare për imamët lokalë. Gjithashtu edhe Kina gjithashtu po përpiqet të shtrijë ndikimin e saj në rajon.

“Është e qartë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të mbeten të angazhuara në Ballkanin Perëndimor – me një theks të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike, në mënyrë që qeveritë të mund të adresojnë nevojat e qytetarëve të tyre”, ka shkruar Clark.

Por gjenerali ka paralajmëruar se një zonë e tregtisë së lirë në Ballkanin Perëndimor, e propozuar nga udhëheqësit e rajonit, mund të jetë një hap në drejtimin e duhur. Por, një iniciativë e tillë nuk duhet të shikohet si zëvendësim i garancive të mundshme që do t’i ofronte NATO-ja dhe BE-ja.

Një udhërrëfyes serioz për anëtarësim në BE do t’i ofronte vendeve të rajonit shtysën e nevojshme për të bërë reforma të nevojshme politike dhe ekonomike, për të rritur bashkëpunimin e tyre, dhe për të adresuar tensionet ndëretnike në rritje.

Në fund të shkrimit të tij, gjenerali Clark shprehet se ne kemi shumë mjete në dispozicion për të shmangur destabilizimin e afërt të Ballkanit Perëndimor. Le të sigurohemi që të mos e çojmë dëm investimin e jashtëzakonshëm që kemi bërë në këtë rajon të ndjeshëm, dhe të përtërijmë angazhimin tonë për t’i ndihmuar demokracitë e reja që të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

/The Washington Post- TemA TV/