Komunat në rajonin planor të Pollogut, shfrytëzues të projektit Përmirësimi i qëndrueshmërisë ndaj vërshimeve në rajonin e Pollogut, i cili implementohet në kuadër të Programës për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), fillojnë me proces të thellimit të bashkëpunimit ndërkomunal me qëllim të përmirësimit të qëndrueshmërisë të komuniteteve ndaj rreziqeve nga vërshimet dhe llojeve tjera të katastrofave natyrore.

“Siç nuk varet koha dhe vendi i vërshimeve dhe intensiteti i tyre nga kufijtë administrativë të komunave, ashtu edhe menaxhimi në nivel lokal i kësaj dukurie i tejkalon kufijtë individual të komunave. Projekti, përpos investimeve të rëndësishme, do të sigurojë vizion afatgjatë dhe plan të detajuar për zvogëlim gradual të rrezikut nga vërshimet nëpërmjet pjesëmarrjes të shumë institucioneve në nivel lokal dhe qendror dhe përmes ndarjes së resurseve”, deklaroi Dimitrija Sekovski, udhëheqës i programës në UNDP.

Qëllimi i këtij projekti, siç u theksua në punëtori, është arritja e ndryshimit thelbësor në mënyrën e menaxhimit me rreziqet nga vërshimet në rajonin e Pollogut, i cili llogaritet si rajon më i prekur nga kjo dukuri. Vetëm në periudhë prej disa vitesh, në këtë rajon ndodhën disa vërshime të cilat shkaktuan disa viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Sipas pjesëmarrësve rëndësi vendimtare ka thellimi i bashkëpunimit ndërkomunal për mbrojtje të banorëve dhe të mirave materiale nga vërshimet. Të gjitha komunat e këtij rajoni konfirmuan interesin e tyre për pjesëmarrje në krijimin dhe vendosjen e një sistemi me mekanizëm të këtillë të bashkëpunimit ndërkomunal me qëllim të menaxhimit më të mirë me rreziqet dhe ballafaqimin me situatat e krizës, nëpërmjet investimeve të përbashkëta si dhe nëpërmjet komunikimit dhe koordinimit efikas dhe të përhershëm mes palëve të interesit. (koha.mk)