Punëdhënësit gjermane, sot me anë të një konference për media do t’iu drejtohen qytetarëve të Maqedonisë, lidhur me mundësitë e punësimit në Gjermani.

Elvira Memeti nga Opportunity Center thotë se kushtet e këqija të punës dhe papunësia e madhe bëjnë që të rinjtë të kërkojnë një zgjidhje tjetër.

“Qendra jonë ofron punësim për të gjitha fushat, me theks të veçantë në sferën e shëndetësisë. Ofrojmë mundësi për një të ardhme më të mirë, për një mirëqenie më të mirë socio-ekonomike. Interesi është shumë i madh, ndërsa arsyet janë të kuptueshme. Këtu kushtet e punës në krahasim me perëndimin janë shumë më të këqija, të paktën për ata pak njerëz që kanë fatin të jenë të punësuar”, tha Memeti, raporton “tv21.tv”.

Edhe pse ka nga ata të cilët nuk do ta lëshonin Maqedoninë kurrë, shumica e qytetarëve që pyeten, thonë se po u erdh mundësia, do ta lenin vendlindjen për një punë jashtë vendit.

“Jo asnjëherë nuk kisha dalë nga këtu, edhe këtu kemi mundësi të punojmë”, tha një qytetar i Maqedonisë. “Nuk kemi vende pune këtu dhe nuk na jepet e drejta që të jemi si punëtor në Maqedoni dhe në Ballkan në përgjithësi, atëherë kuptohet se secili do të mendojë të dalë jashtë vendit. Vendi është i mirë, por do të më pëlqente të ikja”, tha një qytetar tjetër.

“Po pata mundësi menjëherë do ikja, menjëherë”, u shpreh një qytetar tjetër i dëshpëruar.

Viteve të fundit vërehet një rritje e theksuar e kërkesave për të mësuar gjuhën gjermane nëpër shkolla private.

Sipas raportit të Bankës Botërore, 30 % e qytetarëve të Maqedonisë janë emigrantë.

“Të dhënat e fundit të Bankës Botërore vlerësojnë se rreth 626 312, ose rreth 30% e popullatës maqedonase janë emigrantë. Kjo vendos Maqedoninë në vendin e pestë në mesin e vendeve evropiane me përqindjen më të lartë të popullatës emigrante, pas Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas të dhënave që posedon Banka Botërore, vetëm në pesë shtete (Gjermani, SHBA, Turqi, Itali dhe Zvicër) janë rreth 400 mijë emigrantë nga Maqedonia”, Raporti i Bankës Botërore.