Për rastin e “Almirit”, sot po zhvillohet seanca përfundimtare në Gjykatën Themelore në Kumanovë.

Në fjalën përfundimtare të palës mbrojtëse të të akuzuarit Boban Iliq për vrasjen e Almirit katërvjeçar, avokati Stevan Pavllovski tha se i akuzuari nuk e ka bërë veprën me paramendim , por në gjendje afekti dhe frike, gjegjësisht në ikje nga konflikti, që siç tha ai, nga shkaktimi i dhunës nga tre të akuzuarit e tjerë, ai ska mundur që ta evitoj goditjen.

Ai thotë se duhet të dënohen iniciatorët e konfliktit, që akuzohen për dhunë në këtë lëndë, Sedat Aliu, Sami Demiri dhe Abdulla Aliu.

Pavllovski gjithashtu tha se kundërshton edhe rikualifikimin e lëndës nga Prokuroria Publike, sipas tij, po të akuzohej për vrasje Boban Iliq tani do të lirohej në mungesë të provave për një akuzë të tillë.

Ndërsa ai mbështet ekspertizat psikiatrike dhe ato tekniko-komunikacionit, në të cilat është mbështetur rikualifikimi i lëndës. Neuro- psikiatri Branisllav Stefanovski në ekspertizë shkruan se ai e ka vërtetuar gjendjen e rënduar psiqike të Iliqit.

Kurse, ekspertiza e tekniko-komunikacionit ka vërtetuar se shpejtësia e veturës ka qenë 38,9Km/h.

Por, ai nuk pajtohet se Iliq e ka kryer veprën penale si ndeshje komunikacioni, dhe kërkon që të lirohet nga akuza që rëndon mbi të./tv21/