Banorët e Sopotit të liruar nga akuza për terrorizëm ende nuk kanë paraqitur kërkesën për dëmshpërblim në pritje të procedurave gjyqësore. Pala mbrojtëse thotë se gjithçka do të nis pas vendimit të Gjykatës Penale e cila pritet të verifikoj vendimin e Prokurorisë Speciale e cila në mungesë të provave vendosi të mos ngrejë aktakuzë ndaj banorëve të Sopotit.

Avokati Vullnet Paçuku thotë se kërkesë për dëmshpërblim do dërgohet në Ministria e Drejtësisë e cila në një afat prej 3 muajve mund të del me ofertë. Por në rast se nuk i përgjigjet kërkesën atëherë lënda do të procedohet në Gjykatën Civile.

“Jemi në fazën e pritjes së vendimit penal nga Gjykata Penale e Shkupit. Gjykata Penale duhet të sjell aktgjykim me të cilin refuzohet akuza dhe pas pranimit të këtij aktgjykimi ne si palë mbrojtëse kemi të drejtë në ankesë. Së pari do kërkojmë dëmshpërblim në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Ministria e Drejtësisë. Do kërkojmë dëmshpërblim për të gjithë të akuzuarit në rastin e Sopotit.

Në rast se palët bien dakord, nënshkruhet marrëveshja dhe duhet të bëhet pagesa. Përvoja tregon që në të shumtën e rasteve Ministria e Drejtësisë nuk del me ofertë. Në rast se nuk dalin me ofertë ose nëse oferta është e papranueshme ne atëherë do të dërgojmë padi në Gjykatën Civile për kompensimin e dëmit”, deklaroi avokati Vullnet Paçuku.

11 banorët e Sopotit ishin dënuar me mbi 156 vjet burg për shpërthimin që kishte ndodhur në fshatin e tyre, në vitin 2003, vetëm në bazë të dëshmisë së bashkëfshatarit të tyre Ramadan Bajrami, dëshmi kjo e siguruar nëpërmjet ushtrimit të dhunës ndaj tij nga inspektorë të policisë. Nga shpërthimi i minës kishin humbur jetën dy ushtarë polak të forcave të NATO-së dhe një shoqërues civil./am/