Pushteti i rrjeteve sociale mund të jetë më i madh nga sa mund të mendojmë. Këtë e vërteton dhe popullariteti që ka marrë treni i linjës Ankara-Kars në Turqi. Pas shpërndarjes në rrjetet sociale nga një grup të rinjsh, treni është shndërruar në një atraksion turistik, gjë që ka sjellë dyfishimin e numri të turistëve në kërkim të aventurës apo edhe romanticitetit.

Rrjetet sociale mund të kthejnë një tren të thjeshtë në një atraksion të vërtetë turistik.

Kjo ka ndodhur me trenin Eastern Express të linjës Ankara-Kars në Turqi, pasi një grup i ri turistësh, të vendosur të mos përdornin mjete të shpejta udhëtimi, kishin rezervuar kabina fjetjeje në bordin e trenit në fjalë. Eksperiencën e tyre 24-orëshe dhe 1365 km të gjatë, ata e ndanë në rrjetet sociale, siç ndodh rëndom në ditët e sotme.

Që nga ai moment treni u shndërrua në një vend argëtimi, aventure dhe socializimi, duke tërhequr si vendasit dhe turistët e huaj, ku përfshihen studentë, grupe që praktikojne sporte ekstreme, fotografë apo edhe të dashuruar që e kanë zgjedhur trenin si vendin më të përshtatshëm për t’i propozuar partnerit, duke qenë se simbolizon nisjen e një rrugëtimi të përbashkët.

Treni që niset nga kryeqyteti turk dhe mbërrin në qytenin Kars, afër kufirit me Armeninë, ka njohur një rritje të numrit të pasagjerëve, të cilët në vitin 2017 ishin 300 mijë. Udhëtarët kanë mundësinë të përshkojnë një pjesë të mirë të Turqisë duke shijuar bukuritë e natyrës dhe në të njejtën kohë të krijojnë një ambient të personalizuar, të zbukuruar me drita e qirinj. Pavarësisht rritjes së popullaritetit çmimi prej 11 dollarësh për të shijuar këtë eksperiencë, ka mbetur i pandryshuar.