Rusia i është përgjigjur kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump i cili tha se Rusia duhet të bëhet gati për sulmet me raketa ndaj regjimit të Asad në Siri.

Përmes një deklarate, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se raketat e SHBA duhet të fluturojnë ndaj terroristëve, jo qeverisë së ligjshme të Sirisë.

“Raketat e zgjuara duhet të fluturojnë ndaj terroristëve, jo qeverisë së ligjshme të Sirisë e cila ka kaluar disa vite duke luftuar kundër terrorizmit ndërkombëtar në territorin e saj”- tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, raporton RT.

Donald Trump tha më herët se Rusia nuk duhet të jetë partner me regjimin e Asad që vret me armë kimike njerëzit e tij.

“Rusia zotohet se do të qëllojë çdo raketë të hedhur në Siri. Bëhu gati Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe ‘të mençura’. Nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret me gaz njerëzit e saj dhe është e lumtur për këtë”- shkroi Trump në Twitter.