Serbia kërkon që personat, të cilët janë vënë në ndjekje ndërkombëtare nga autoritetet serbe, të kthehen në sistemin e Interpolit. Ajo gjithashtu kërkon nga vendet anëtare të Interpolit që të mos e pranojnë Kosovën në këtë organizatë.

“Si një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme kam kërkuar që të gjithë personat, të cilët janë vënë në listën e ndërkombëtare të ndjekjes nga autoritetet gjyqësore serbe, pa kushte të kthehet në sistemin e Interpolit”, ka thënë drejtori i Policisë së Serbisë, Vladimir Rebiç, pas bisedimeve të ndara me presidentin Meng Hongëei dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, Jürgen Stock, raporton “B92”, përcjell Telegrafi.

“Ne do të bisedojmë me të gjithë anëtarët e Interpolit për t’i bindur ata se anëtarësimi eventual i Kosovës në Interpol, nuk do të ishte në interes të Serbisë, as të Interpolit”, ka thënë Rebic.

Drejtori i policisë serbe theksoi se Serbia këmbëngul në integritetin e saj territorial dhe është e angazhuar për zbatimin dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe rregulloreve.

Ai tha se, gjatë bisedimeve të ndara me Presidentin Hongwei dhe Sekretarin e Përgjithshëm Stock, është potencuar përkushtimi i Serbisë për bashkëpunim me Interpol.