Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, pasi përgëzoi popullin shqiptar për rekomandimin e Komisionit Evropian, deklaroi të martën se vendi ynë “do të ketë shumë sfida dhe punë të madhe, duke nisur nga shteti i së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma në drejtësi”.

“Negociatat me BE-në nuk janë të lehta. Ëndrra ime është që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt Evropës. Është në interesin më të mirë që Shqipëria të jetë e integruar plotësisht në BE. Ajo që Shqipëria ka bërë është e mjaftueshme për të çelur negociatat. Tani, sfidë është bindja e të gjitha vendeve në qershor për çeljen e negociatave”.

“Unë zakonisht jam i kujdesshëm, por them se jam optimist. BE është investuesja më e madhe për të gjithë rajonin”, deklaroi Presidenti i Këshillit Evropian, shkruan Top Channel.

“Ne do të ndërtojmë Shqipërinë europiane në Shqipëri. Është një proces që kërkon kohë dhe që e kërkon interesi i fëmijëve tanë. Me Presidentin, që është njohës i thellë i rajonit, folëm për procesin e thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe nënvizova se ky proces transformues për rajonin është i lidhur me perspektivën europiane të vendeve të rajonit. Diskutuam edhe për ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi”, deklaroi kryeministri shqiptar, Edi Rama.