Presidenti i SHBA, Donald Trump ka anuluar udhëtimin e tij të parë zyrtar në Amerikën Latine për t’u përqëndruar në çështjen e sulmit të dyshuar kimik në Siri.

Ai do të qëndrojë në Uashington për të “vendosur mbi përgjigjen amerikane ndaj Sirisë”, bën me dije në Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë, mbikëqyrësi global i armëve kimike ka thënë se do të dërgojë një ekip për gjetjen e fakteve në Douma, ku burimet mjekësore raportojnë se dhjetëra persona u vranë nga një sulm kimik atje.

Forcat qeveritare siriane janë vënë në gatishmëri të lartë në të gjithë vendin, nga frika e një goditjeje amerikane, pas një sulmi të kryer me sa duket me armë kimike pranë Damaskut.

Siria ftoi të martën organizatën vëzhguese ndërkombëtare të armëve kimike për të hetuar sulmin e dyshuar me gaz helmues gjatë fundjavës në një qytet të mbajtur nga kryengritësit. Aktivistët e opozitës thonë se nga sulmi kimik janë vrarë 40 vetë.

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ushtarake. Ai ka deklaruar se do të reagojë fort ndaj sulmit të së shtunës mbi civilët në qytetin Douma dhe ka paralajmëruar se Rusia ose çdo vend tjetër që mban përgjegjësi për sulmin do të paguajë një çmim.

Kjo është hera e parë që një president amerikan nuk merr pjesë në Samitin e Kontinentit Amerikan. Në vend të tij do të shkojë nënpresidenti Mike Pence.