VMRO-ja ka reaguar pas deklaratë së kryeministrit Zoran Zaev se po të kishte dëshmi për rastin “Monstra” do t’i publikonte ato. Partia opozitare e ka përsëritur qëndrimin se duket se kreu i LSDM-së po fsheh fakte për këtë rast për shkak të koalicionit qeveritar me BDI-në.

“Zoran Zaev para zgjedhjeve manipuloi familjet e të vrarëve duke pretenduar se njeh të vërtetën rreth ekzekutimit brutal në Liqenin e Smillkovës. Zaev, për shumë vite udhëhoqi një fushatë morbide dhe përdori vrasjet për të mbledhur pikë politike. Tani që është në pushtet, Zaev pohon se nuk ka dëshmi të likuidimit brutal në Liqenin e Smilkovës. Zaev po gënjen dhe manipulon”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.

Partia përmend edhe një herë bisedat ndërmjet një të dyshuari për vrasjen dhe zyrtarëve të BDI-së. Sipas VMRO-DPMNE-së, Zaev dhe “karteli kriminal” që e udhëhoqi luajti me të gjithë. /SHENJA/