Kthimi i opozitës në Kuvend do të kontribuojë për funksionimin e demokracisë, mendon kryeministri Zoran Zaev.

Ai e përshëndeti vendimin e Mickovskit, që ti kthejë deputetët e tij në Kuvend për të marrë pjesë në debat.

Zaev vlerëson se dialogu me opozitën është duke ecur në drejtim të mirë, pasi ata janë marrë vesh për një numër të madh të zgjedhjeve ligjore, ndërsa pritjet janë se, deri më 17 prill në fakt deri në arritjen e Raportit të Komisionit Evropian do të sjellin zgjidhje ligjore në Kuvend.

Kryeministri i komentoi edhe paralajmërimet e opozitës, prej ku thanë se menjëherë pas kthimit në kuvend do të kërkojnë që në rend të ditës së vendoset edhe pika për votim të mosbesimit ndaj qeverisë.

“Gjithsesi se është e drejta e tyre që të paraqesin interpelancë për Qeverinë, por gjithashtu duhet të kujdesemi që edhe ligjet të sillen brenda afatit të paramenduar, pasi që nuk do të dëshironim ti japim arsye asnjë vendi anëtar të Bashkimit Evropian për justifikim në lidhje me çfarë do qoftë, kur veç më i kemi votuar ligjet.

Është e qartë se ekziston konsensus i plotë në Kuvend që të sillen këto zgjidhje”, tha kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.

Kthimin në Kuvend mbrëmë e paralajmëroi shefi i opozitës, Hristijan Mickovski, i cili deklaroi se hapi i parë i tyre në Kuvend do të jetë votimi për interpelancë të Qeverisë, pasi që sipas tij, ai e ka humbur kredibilitetin e vet, nuk punon për qytetarët dhe shtynë shtetin në një humnerë.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së, do të paraqesin argumente në mënyrë të detajuar, mbi atë se pse kjo qeveri anti-kombëtare dhe anti-shtetërore, duhet të përfundojë sa më shpejtë.

Sa më shpejtë, aq më mirë për shtetin. Dështimet u bënë dukuri e përditshme ndërsa populizmi – karakteristika e saj”, u shpreh Mickovski.

Sipas informatave, seanca në të cilën do të votohen ligjet reformuese duhet të mbahet më 10 prill, ndërsa pas kësaj do të vijon debati për mosbesim të qeverisë.

Në ndërkohë Zaev i vazhdon bisedimet me disa parti opozitare për ta zmadhuar shumicën parlamentare.

Ai deklaroi se deri nesër duhet të përfundojnë bisedimet me Partinë Demokratike të Turqve në Maqedoni, ndërsa prioritet do të kenë dy krahët e Lëvizjes Besa. Para disa ditësh, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami deklaruan se deri tani kanë pasur bashkëpunim të mirë me Zaevin, por se ende presin ftesë për fillim të bisedimeve./tv21/