Kryeministri Zoran Zaev për të satën herë me radhë paralajmëron rikonstruktimin e Qeverisë dhe zgjerimin e shumicës parlamentare. Së fundi në intervistën për agjencinë e lajmeve MIA, ai është shprehur optimist sa i përket rikonstruktimit duke potencuar se i njëjti do të ndodhë së shpejti.

Po bëj konsultimet e fundit. Shkarkimet menjëherë duhet t’i pasojnë me emërime të reja. Prandaj ky proces nuk është aq i thjeshtë. Pakoja duhet të jetë e paketuar plotësisht. Dua të theksojë se rikonstruktimi paraqitet si domosdoshmëri dhe nga synimi për të rritur dhe forcuar shumicën parlamentare. Me rritjen e shumicës parlamentare hapet shansi për ndryshim aty ku nuk ka rezultate. Është krejtësisht logjike për mua që dikush nëse nuk mund të japë rezultate të shkarkohet ose të tërhiqet. Ndoshta këta njerëz janë më të dobishëm në pozicione tjera -tha  Zoran Zaev, Kryeministër.

Subjektet parlamentare konfirmojnë komunikimin me të parin e organit ekzekutiv. Dy fraksionet e Lëvizjes Besa kumtojnë njëzëri se bisedimet dhe takimet do të intensifikohen pas festave. Nga krahu i Bilall Kasamit paralajmërojnë takim mes Kasamit dhe Zaev. Sipas Besës së Kasamit, fillimisht do të shqyrtohet oferta dhe më pastaj do të shtrohen kërkesat e tyre si subjekt. Por nga fraksioni i Afrim Gashit duke mos dashur të komentojnë me tepër shprehen shkurt se gjithçka do të dihet pas festave. Nga PDSH, si njëri ndër subjektet më të përfolura për të qenë pjesë e shumicës parlamentare dhe Qeverisë nuk përgjigjen në tentativat tona për prononcim. Rikonstruimin e Qeverisë, Zaev e paralajmëroi pas zgjedhjeve lokale të vitit kaluar si nevojë për stabilizimin e shumicës parlamentare dhe mbështetjen për proceset reformuese dhe jo vetëm. Përjashtim gjitha subjekteve që po shprehin potencialin për të qenë pjesë e Qeverisë, nga shumica dhe koalicioni për çështje parimore u largua Aleanca për Shqiptarët, ndërsa shumica parlamentare mbijetoi falë mbështetjes së deputetit Amdi Bajram dhe atij të RDK-së, Vesel Memedi.

Adrian Kerimi