Incidenti i përgjakshëm që ndodhi mbrëmë rreth orës 18:20 minuta në Reçicë të Vogël të Tetovës ka shënuar një të vrarë, dy të plagosur dhe katër të arrestuar.

Ky është bilansi momental i personave të përfshirë në këtë incident, të njohur si aktivist të BDI-së. Mësohet se përplasjen e parë e kanë filluar pikërisht për shkak të zënkave brenda partiake.

Sipas dëshmitarëve përleshja ka filluar me një rahje fizike dhe shumë shpejt ka eskaluar në përdorimin e armëve të zjarrit. Sipas informatave jozyrtare në këtë përplasje kanë marrë pjesë 4 automjete, por ende nuk dihet numri i saktë i personave të përfshirë.

Në këtë incident tre persona janë qëlluar nga plumbat të cilat sipas dëshmitarëve kanë fluturuar në të gjitha anët, por njëri prej tyre, Naip Rexhepi-Bellanoca gjatë rrugës për në spital nuk ka arritur të mbijetojë. Një ditë pas këtij incidenti, në vendngjarje sot mbretëronte qetësi dhe lëvizje e zakonshme e qytetarëve, por tek banorët e lagjes frikë dhe trishtim nga skenat e mbrëmshme.

Pas incidentit, automjetet ishin larguar në drejtime të ndryshme. Njërën prej tyre policia kishte arritur ta kap në dalje të Tetovës drejt Shkupit, konkretisht në oborrin e pompës së benzinës. Këtu mësohet se janë arrestuar edhe dy persona. Ndërkohë, policia ka rrethuar mbrëmë gjithë qytetin dhe në disa rrugë kryesore ka ngritur pika kontrolli.

Në daljen nga qyteti i Tetovës kontrollohej çdo veturë, ndërsa ato me targa të qyteteve të tjera e veçanërisht të Kumanovës i nënshtroheshin kontrollit më të detajuar. Në këto kontrolla policia kishte arritur të kap edhe personat e tjerë të dyshimtë. Por, ende nuk është nuk është konfirmuar nëse ka edhe persona të tjerë të cilët mund të jenë në arrati.

Policia dorëzoi 11 padi penale për personat e përfshirë në zënkën e një nate më parë në Reçicë të Vogël ku jetën e humbi Naip Rexhepi nga Kumanova. Autori i veprës është akoma në arrati kurse katër persona tashmë janë pas grilave. Sipas elaborimit të policisë, personat e lartpërmendur, të ndarë në dy grupe, përshkak të mosdurimit për arsye të llogarive të papërfunduara paraprake mes tyre, kanë arritur në Tetovë ku janë takuar në vendin kritik.

Të gjithë kanë dalë nga automjetet e tyre, disa të pajisur me armë zjarri të markave të paidentifikuara kurse disa prej tyre edhe me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera. Një konflikt fillimisht verbal, më vonë ka kaluar në zënkë fizike dhe përdorim të armës së zjarrit, nga të cilat më rëndë është lënduar Naip Rexhepi. Ai ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Padia konsiston në veprat penale “vrasje” dhe “vrasje në tentativë” kurse për disa prej tyre edhe “armëmbajtje pa leje”. Dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Nga MPB-ja thonë se në vendngjarje janë gjetur 8 gëzhoja plumbash, 3 koka të plumbave, gjurmë gjaku dhe një plumb i pa krisur.

Mbrëmë në ora 18:20 minuta është lajmëruar se ka pasur të krisura me armë zjarri në fshatin Reçicë e Vogël. Janë lënduar N.R dhe S.R nga fshati Bellanoc dhe F.M nga Çerkezi. Personit me iniciale S.R i është dhënë ndihma në spitalin e Tetovës, ndërsa N.R iu është nënshtruar plagëve. F.M për shkak të seriozitetit të lëndimeve është dërguar në Qendrën Klinike Spitalore në Shkup. Në lidhje me rastin e mbrëmshëm në fjalë janë arrestuar nga policia katër persona dhe po ndërmerren masa plotësuese për zbardhjen e plotë të rastit – deklaroi Toni Angellovski – Zëdhënës i MPB-së.

Siç flitet jozyrtarisht, të dy grupet kanë qenë në konflikt të vazhdueshëm për udhëheqjen e degës së BDI-së në Kumanovë. Për këtë arsye edhe konflikti me pasoja tragjike ndodhi afër Selisë së BDI-së. Por këto informacione u mohuan kategorikisht nga integristët, të cilët përmes një kumtese hodhën poshtë zërat që kjo zënkë të ketë të bëjë më partinë. Në degën e BDI-së në Kumanovë, edhe në vitin 2015 ka pasur një zënkë ku humbi jetën Xhemail Rexhepi, i njohur si Komandant Shqiponja.

Padi penale nga MPB-ja

B. M.
I. M.
M. M.

N. M.
F. M.
H. M.

S. R.
H. K.
B. R.

R. D.
L. B.