Pas përballjes me pyetje të vështira nga dy komisione të Senatit, drejtori ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg kthehet përsëri sot në Kongres për t’u ndeshur me pyetje të tjera nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve rreth transparencës dhe privatësisë së përdoruesve të kësaj platforme të mediave sociale. Ligjvënësit kërkojnë mbrojtje më të mirë pas skandalit të vjedhjes së të dhënave të përdoruesve, që preku dhjetëra miliona njerëz.

Zuckerberg u thirr për të dëshmuar pas publikimeve se të dhënat personale të miliona përdoruesve të Facebook-ut ishin vjedhur pa dijeninë e tyre nga Cambridge Analytica, një kompani britanike e profilizimit të votuesve, e punësuar nga fushata e Presidentit amerikan Donald Trump për të shënjestruar mbështetësit e mundshëm në zgjedhjet e vitit 2016.

Zuckerberg përmendi përmirësimet në Facebook që nga zgjedhjet e tjera të zhvilluara në Evropë dhe këtu në Shtetet e Bashkuara.

“Kam më shumë besim se ne do ta ndreqim këtë gabim sepse që nga zgjedhjet e vitit 2016 ka pasur disa zgjedhje të rëndësishme në të gjithë botën ku kemi pasur një punë më të mirë. Zgjedhjet presidenciale në Francë, zgjedhjet në Gjermani dhe zgjedhjet për vendin në senat në Alabama vitin e kaluar”, u përgjigj Zuckerberg.

Senatorja Diane Feinstein: “Shpjegoni çfarë ka ndryshuar në regjistrimin e të dhënave?”

“Ne kemi vendosur mjete të reja të Inteligjencës Artificiale që identifikojnë më mirë llogaritë e rreme që mund të jenë duke u përpjekur të ndërhyjnë në zgjedhje apo përhapjen e keqinformimit dhe në këto tre zgjedhje ne ishim në gjendje të fshinim dhjetëra mijëra llogari që – mund të sillnin dëme të konsiderueshme”, u përgjigj Mark Zuckerberg.

Por Zuckerberg pranoi se Rusia mbetet një rrezik në përpjekjen për të shfrytëzuar Facebook-un dhe sisteme të tjera të internetit, duke e quajtur sfidën një garë armësh.

Në fillim të javës, Facebook-u filloi të njoftonte 87 milionë përdoruesit, shumica e tyre në Shtetet e Bashkuara, të dhënat e të cilëve mund të jenë marrë nga kompania Cambridge Analytica.

Ligjvënësit premtuan të mbajnë seanca të tjera duke u përqëndruar në kompaninë Cambridge Analytica në një të ardhme të afërt.