Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar pasi policia kufitare serbe ka ndaluar fotografen Eliza Hoxha, për shkak të një fotografie që përmbante mbishkrimin e UÇK-së. Haradinaj ka thënë se Serbia me këtë akt po rrënon edhe ato pak mundësi për një komunikim normal.

“Autoritetet serbe me aktin e ndalesës në kufi të artistëve kosovarë, të ftuar në festivalin “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, po rrënojnë edhe ato pak mundësi për vendosjen e një komunikimi normal me Kosovën, qoftë edhe përmes artit, si gjuhë universale. Artistët dhe të rinjtë nga Kosova po i nënshtrohen bastisjes së rreptë në kufi me Serbinë, ku policia serbe ua ka bërë me dije se dy ekspozita nuk do të lejohen për shkak të përmbajtjeve artistike të tyre”, ka shkruar Haradinaj, përcjell KosovaPress.