Organizatat joqeveritare të cilat në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor, kanë ndezur alarmin se në Maqedoni institucionet përkatëse nuk i paraqesin mbeturinat e rrezikshme industriale me mbetje toksike si dhe mbeturinat mjekësore, por pjesën më të madhe të tyre e hedhin në deponitë bashkë me mbeturinat e tjera komunale.

Ambitalistët thonë se përpos mbeturinave komunale, në më shumë rrjedha të lumenjve dhe në lokacione të ndryshme hidhen edhe mbeturinat e rrezikshme.

Në Maqedoni, vetëm deponia e Drisllës në Shkup është ajo që plotëson standardet minimale të Bashkimit Evropian të përcaktuara me direktivat e deponive per menaxhimin e materieve të rrezikshme.

Nga Ministria për Mrojtjen e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, për Radion Evropa e Lirë thonë se “nuk disponojnë me informacione se në Maqedoni ka vende të caktuara ku hidhen mbeturinat e rrezikshme, duke shtuar se nëse për një gjë të tillë kushdo qoftë, disponojnë me fakte, duhet t’i njoftojnë organet kompetente dhe ata menjëhërë do të veprojnë në bazë të ligjeve që rregullojnë menaxhimin e mbeturinave”.