Nga Blendi Gashi

Ish-vetëvendosësit që aktualisht njihen si “Grupi i Deputetëve të Pavarur” bën shumë zhurmë me largimet e tyre nga partia e Albin Kurtit, dhe në heshtje formuan partinë e re. Por çuditërisht në ditën kur dhanë lajmin për një gjë të tillë nuk treguan as emrin e partisë, as të kryetarit duke lënë në kureshtje opinionin, sigurisht për tu bërë tërheqës për mediat dhe jo vetëm.

Por pak ditë më pas, ish-vetëvendosësit befasuan për të keq, pasi njoftuan se partia e tyre e re në fakt do jetë një parti e vjetër, pra do bartin emrin e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD) të Kaqusha Jasharit që është formuar në vitin 1990, pra është partia e dytë më e vjetër pas LDK-së së themeluar nga Rugova.

Po kemi arritur marrëveshje me partinë Socialdemokrate. Sipas marrëveshjes me 9 Maj do të mbahet Kuvendi, ku do të zgjidhen anëtarët dhe kryetari i partisë. Sipas asaj marrëveshje do të ketë një kandidat. Se cili do të jetë ai kandidat, do të shihet më 9 Maj”, tha ish-vetëvendosësi Dardan Sejdiu, aktualisht kryetari i GDP-së.

Ky i fundit ndërkaq nuk ke në gjendje të tregoi se kush do jetë kryetar i “PSD-së së re”, duke lënë sërish enigmë këtë gjë, sigurisht për tërhequr vëmendjen e mediave.

A është një dështim qysh në fillim?

Edhe pse ish-vetëvendosësit do kenë kryetarin dhe sigurisht fuqinë në këtë parti, pjesë e së cilës do jetë edhe politikania veterane Kaqusha Jashari, me vendimin e marrë ata nuk kanë formuar parti të re sado që paraqiten ashtu në opinion, por janë shkrirë në një parti të vjetër qv asnjëherë nuk arriti ndonjë sukses që la gjurmë në skenën politike, përveç lidhjes së ndonjë koalicioni me partitë e mëdha sa për të marrë ca pushtet.

Këtë parti (PSD e vjetër) e drejtoi për një kohë edhe tashmë deputeti i PDK-së, Agim Çeku (në vitin 2008 në mbledhjen e Këshillit drejtues u zgjodh kryetar), por edhe pse një komandat i njohur, dështoi, edhe pse ishte optimist se do arrinte sukses.

Ish-vetëvendosësit, të cilët pas 9 Majit kur do mbahet Kuvendi do njihen si PSD-istat e rinj, do kenë shumë punë para vetës, e sfida më e madhe do jetë nëse do ta kalojnë pragun zgjedhor (pasi shumica nga ky grup janë ish zyrtarë të partisë Fryma e Re që dështoi më 2010), apo do ta kenë fatin sikur Agim Çeku.

Pra ish-vetëvendosësit që ikën nga Albin Kurti të cilin e akuzuan për kapje të partisë, e që bën një veprim të tillë dhe vet pasi “kapën” PSD-në e vjetër dhe nuk patën guximin të vazhdojnë rrugëtimin me një emër të ri, opinioni përherë do i njeh si ish-VV-ista e jo si PSD-ita.

Edhe Shpend Ahmeti, nëse bëhet kryetar i PSD-së, çdo herë do kujtohet vetëm si kryetar i Prishtinës nga VV, por edhe si themelues i FER-it, por vështirë se mund të lë gjurmë me këtë parti.

Kujtojmë se “Grupi i Deputetëve të Pavarur” u krijua në muajin mars nga të pakënaqurit brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetët të cilët e përbëjnë këtë grup janë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina. (tesheshi)