Ai është sulmi më i fundit i një elefanti të egër në kampin më të madh dhe më të dendur të refugjatëve në botë.

Fatmirësisht nuk pati asnjë viktimë, por sulme të tilla janë bërë të zakonshme në kampin e refugjatëve “Rohingya” në Bangladesh, ku 700 mijë njerëz janë strehuar për t’i shpëtuar dhunës, që ky grup etnik mysliman pëson në vendin e tij, Mianmar.

Plot 12 persona janë vrarë nga elefantët e egër, që kur nisi kriza dhe për pasojë fluksi i refugjatëve “Rohingya” drejt Bangladeshit, vitin e shkuar.

Brenda pak muajsh, kampi i refugjatëve është zgjeruar jashtë çdo parashikimi dhe mbërritja e njerëzve pengon një prej rrugëve migratore të elefantëve të egër. Këta të fundit nuk reagojnë aspak mirë kur gjejnë rrugën e zënë dhe, veç viktimave, kanë shkatërruar shumë shtëpi dhe prona të tjera.

Ndërsa nuk po bëhet asgjë për zgjidhjen e krizës së “Rohingya”-ve dhe kthimin e tyre në Mianmar, zyrtarë të OKB-së në terren thanë se mundësia e vetme që ata kanë është të vendosin roje që të paralajmërojnë afrimin e elefantëve dhe çfarë pason është në dorën e fatit./TCH/