Azemine Dobra nga Kryeshevci i Skënderajt u bë femra e parë e Drenicës që kreu normalen

Rreth 70 vite më parë, një bareshë ruante bagëtitë në malet e Kryeshevcit të Skënderajt.

Pasi e kreu klasën e 4, Azemine Dobrës babai i tha që ta ndërpriste shkollimin.

Por, dëshira e saj për të mësuar ishte shumë më e fuqishme.

“Më kujtohet si sot kur pas kryerjes së katër klasave të fillores nga prindërit m’u referua që të ndërpresë shkollimin. Tash në vend të librit më dhanë shkopin që ta ruajë bagëtinë. Por, kjo punë më ndihmoi shumë, sepse me të ardhur koha e fillimit të mësimit me çantën, që pos bukës, në të kisha edhe disa fletore, nisesha për në shkollë dhe pas mbarimit të procesit mësimor detyrohesha që një kohë të gjatë t’i kërkoja bagëtinë në mënyrë që në mbrëmje t’i ktheja në shtëpi”.

Ky ishte fillimi i një pjese të rrëfimit të Azemines për Gazetën Rilindja të vitit 1985.

Duke shërbyer si shembull për gratë, Azeminja tregon se sa i vështirë ishte shkollimi në atë kohë, sidomos për femrat.

Gruaja nga Drenica e dinte se shkollimi i saj do të bëhej temë diskutimi nëpër oda, por ajo asnjëherë nuk u pajtua me zakonet.

Kureshtja për dituri nuk e ndaloi shtegtimin e saj drejt diturisë.

“Pas tre muajsh babai më ra në gjurmë dhe kur unë pritja nga ai të ndëshkohesha, ndodhi ajo që s’e kisha paramenduar. Ç’është e drejta, kohë më parë shiheshin disa shenja të tolerimit të babait në këtë drejtim. Por, fjalët e tij <që nga sot bija ime je e lirë të vazhdosh shkollimin> edhe sot ëmbël i përkujtoj”.

Azeminja ishte vajza e parë e Drenicës në brezin e parë të Shkollës Normale në Pejë.

Pa e përfunduar mirë shkollimin, ajo kishte filluar të punojë si mësuese.

“Mirëpo, pa e kryer këtë formë të arsimit, m’u desh t’ia filloj punës, ngase koha dhe nevoja kërkonin një gjë të tillë, anipse isha e re, mbase edhe populli e donte arsimi, si dritën e syrit. Në fillim punova në Polac. Më vonë kalova në shkollën e Suhogërllës, pastaj në Runikë, e prej aty ka më shumë se 17 vjet që punoj në Kline të Epërme të Sërbicës”.

Kështu, nga baresha arriti të bëhej veterane e arsimit.

Bile, ajo ishte dekoruar shumë shpesh për rezultatet e arritura në punë.

“Por, më e rëndësishme, thotë ajo, është mirënjohja që më vjen nga nxënësit e mi dhe prindërit e tyre. Kjo më jep forcë, vullnet për punë e angazhim më të madh. Ky është shpërblimi im më i madh dhe dëshmia më e mirë. Eh, si më bëhet zemra mal kur shoh ish-nxënësit e mi që tash janë mjekë, inxhinierë, profesorë e të tjerë”.

Krejt në fund të artikullit, Azeminja thoshte se nuk ka profesion më të mirë se ai i mësuesit.