Bisedimet për zgjerimin e shumicës parlamentare janë në fazën finale, thotë për TV21, Orhan Murtezani nga Grupi i Afrim Gashit. Pothuajse është arritur marrëveshje për harmonizim të programit të fraksionit të BESËS. Ditëve në vijim pritet që në bisedime të caktohet se cila ministri do tu ndahet atyre.

Paralelisht me Afrim Gashin, kryeministri Zaev është duke zhvilluar bisedime që në Qeveri të futet edhe Bilall Kasami, i cili ka dy deputetë në Kuvend. Njëri prej tyre, Fadil Zaendeli thotë se edhe ata kanë kërkuar një ministri në kabinetin qeveritar.
Takimet e fundit kryeministri Zaev me Gashin, Kasamin dhe me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi i realizoi të hënën. Dje ai shpjegoi se do të ketë konsultime shtesë për kyçjen e tyre në qeveri me qëllim zgjerimin e shumicës parlamentare.

“Dëshiroj që këtyre ditëve t’i vëmë fund kësaj teme, gjithsesi se të gjithë janë në pritje të propozimeve të cilat kryesisht i propozoj unë si kryeministër”, tha Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë.
Përveç kyçjes së partive më të vogla, pritet që Zaev të propozojë edhe ndryshimin e disa vendeve ministrore të partnerëve të deritanishëm të koalicionit. Por sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që rikonstruimi i qeverisë, gjysmë viti pas formimit të saj, të jetë vetëm një hap simbolik. Përbërja aktuale qeveritare ka 19 ministra ndërsa 6 prej tyre janë ministra pa resor.
Përgatiti: Antonio Krstevski