Prokuroria Publike Speciale nuk do të kërkojë paraburgim për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili dje mori aktvendim dënues për blerjen e mercedesit luksoz. Sqarimi joformal i PPS-së është se bëhet fjalë për dënim të ulët, prandaj deri sa aktvendimi të bëhet i plotfuqishëm, masa paraburgimi do të skadonte.  Por, a do të ankohet për lartësinë e dënimit të shqiptuar, Prokuroria do të vendosë pas marrjes së aktvendimit nga gjykatësja Dobrilla Kacarska, të cilin duhet ta përgatisë brenda 15 ditëve.

“Prokuroria Publike Speciale, në mënyrë shtesë do të vlerësojë nëse deri te Gjykata e Apelit do të paraqesë ankesë për dënim më të lartë, menjëherë pasi e merr aktvendimin nga Gjykata Themelore – Shkupi 1.”, thanë nga Prokuroria Publike Speciale.

Pasi të akuzuarit dhe Prokuroria e marrin aktvendimin, edhe zyrtarisht do të fillojë të skadojë afati për paraqitjen e ankesave, pas çka, lënda do t’i dorëzohet Gjykatës së Apelit. Tani për tani, ankesë kanë paralajmëruar vetëm avokatët e Gruevskit.

“Nuk ekzistojnë arsye për përndjekje penale ndaj asnjërit prej të akuzuarve. Jemi të pakënaqur dhe do të paraqesim ankesë serioze, kundër aktvendimit të këtillë të kësaj gjykate”, tha Dimitar Dangov, avokat.

Pikërisht për Gjykatën e Apelit nuk ka afate konkrete deri kur mund të sjellë vendim përfundimtar, prandaj menjëherë pasi e merr lëndën “Tanku” pritet që të caktojë seancë. Me vendimin e kësaj gjykate, aktvendimi bëhet i plotfuqishëm. Ky është aktvendimi i parë, lidhur me pesë aktakuzat e PPS-së, me të cilat po ballafaqohet Gruevski. Ish-gjykatësi kushtetues, Trendafill Ivanovski, thotë se vendimi gjyqësor i cili u soll dje, është një hap drejt rregullimit të gjendjes në sistemin gjyqësor.

“Është mirë që gjykata ka marrë vendim të tillë. Është koha që gjyqësori të dalë nga balta në të cilën është mbërthyer dhe të tregojë se nuk punon nën presione dhe kërcënime. Me këto disa aktvendime do të fillojë edhe procesi i kthimit të besimit në gjyqësor”, tha Trendafil Ivanovski, Ish-gjykatës Kushtetues.

Ish-ndihmësministri në MPB-në, Gjoko Popovski për rastet “Tanku” dhe “Treqind” u dënua me burg prej 15 vjet e gjysmë. Gruevski i pret rezultatet për rastet “TNT”, “Trajektorja”, “Dhuna në Komunën Qendër” dhe “Titaniku”, rast në të cilin është i akuzuar për tri vepra penale dhe i kërcënohet dënim më të lartë.

Përgatiti: Mihajllo Vidimlliski

Artikulli paraprakPlanifikohej sulm i madh kibernetik rus, parandalohet nga SHBA
Artikulli tjetërMOSNJOHJA E PATENTAVE NË GJERMANI, SHTETASIT E MAQEDONISË KËRKOJNË PËRGJIGJE NGA MPB (VIDEO)