Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka uruar Vladimir Putinin për mandatin e tij të katërt në krye të Federatës Ruse.

“Presidenti Trump uron Putinin dhe shpreson se së shpejti do të vijë koha për ndërtimin e marrëdhënieve të mira SHBA-Rusi”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Trump më herët në një bisedë telefonike me Putinin, i uroi drejtpërsëdrejti fitoren në zgjedhjet e fundit, të mbajtura në mars të këtij viti.

Presidenti rus të dielën u betua për mandatin e tij të katërt gjashtëvjeçar.

Inaugurimit zyrtar i paraprinë protesta masive fundjavën që shkoi, në të cilat policia ruse arrestoi shumë demonstrues, përfshirë opozitarin Alexei Navalny.

E pyetur të komentojë arrestimet, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sanders, tha se SHBA-të besojnë se secili ka të drejtë të shprehë lirshëm mendimin e tij.