Ish-bodigardi i Sali Berishës mbërriti nga Stambolli në Rinas rreth orës 20:10 minuta.  Pas mbërritjes në aeroport, ai u shoqërua nga Rinasi për në paraburgim me dy makina të blinduara të Drejtorisë së Burgjeve, ndërsa brenda 48 orëve ai do të dalë para gjykatës për t’u njohur me dënimin prej 25 vitesh, si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.

Mësohet se Izet Haxhia pritet që të dalë para trupës së gjykatës pas 48 orësh, duke nisur tashmë një nga betejat më të vështira gjyqësore, por që ka marrë edhe ngjyrime të forta politike.

Kërkesa e Ministrisë shqiptare të Drejtësisë i është dorëzuar ambasadës shqiptare në Ankara përmes Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Ambasada shqiptare ia ka përcjellë Ministrisë së Jashtme turke, e cila e ka dorëzuar shkresën me kërkesën në Ministrinë e Drejtësisë.

Ish-truproja i Presidentit Berisha u arrestua në vitin 2006 në Turqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Haxhia u vetëdorëzua tek autoritetet turke pak javë më parë. Ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ish-truproja i Sali Berishës nuk e ka pranuar kurrë. Ai kërkoi që të ekstradohet dhe të përballet me akuzat e drejtësisë shqiptare, ndërsa do të mbrohet nga avokati Fran Dashi.

Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në rihapjen e dosjes ‘Hajdari’, pasi Izet Haxhia është shprehur vazhdimisht se ka prova që fajësojnë ish-kryeministrin Sali Berisha si pjesë e skenarit që çoi në ekzekutimin e Azem Hajdarit pak metra larg selisë blu 12 shtatorin e vitit 1998.