Në dy ditët e ardhshme biseda telefonike mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë pritet të jetë hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së çështjes së emrit. Kryeministri, Zoran Zaev nuk zbuloi se cili është propozimi aktual në tavolinë për emrin dhe nëse vlen akoma marrëveshja paraprake për erga-omnes. Ai konfirmoi se në rast se gjen gjuhë të përbashkët me homologun grek, Cipras, do të bisedojë edhe për afatet e realizimit të marrëveshjes eventuale. Zaev në këtë mënyrë vërtetoi se janë të sakta informatat që qarkullonin në media, se plani i realizimit do të përmbajë 11 pika, në mesin e të cilave ratifikim të marrëveshjes në Kuvend dhe anëtarësim në NATO në korrik, ndërsa referendum, në shtator ose tetor.

Është e ndershme të bisedohet përskaj aspektit juridiko-formal të marrëveshjes eventuale edhe për terminet e realizimit të saj. E dini se në Maqedoni të gjithë qëndrojmë pas referendumit, nëse ne qëndrojmë pas referendumit dhe Greqia ka për këtë mirëkuptim është e rendit logjikisht të vendosen hapat e realizimit të marrëveshjes eventuale. Ratifikim para referendumit që të mund Greqia t’i dërgojë shkresë NATOs, të marrim ftesë për në NATO, qoftë edhe një muaj më parë. Gjithsesi ratifikimi i marrëveshjes është ratifikim i diçkaje pas së cilës qëndrojnë dy Qeveritë dhe me gjasë edhe shumica parlamentare. Shpresoj që të jetë shumicë e madhe parlamentare, bashkë me opozitën – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministri grek, Aleksis Cipras tha se afrohet perspektiva e zgjidhjes së emrit. Ai theksoi se negociatat janë të vështira por se zgjidhja është e domosdoshme.

Negociatat midis Greqisë dhe IRJM-së që kanë për qëllim ta zgjidhin problemin dekadësh të emrit janë “të vështira” por “të domosdoshme”. Qeveria trajton bisedimet me një ndjenjë të përgjegjësisë dhe patriotizmit, por gjithashtu edhe besim se zgjidhja duhet gjetur. Është pikërisht kjo pozitë që formëson një imazh të ri për Greqinë ndërkombëtarisht dhe forcon rolin e saj si një shtyllë stabiliteti në rajon që rrotullohet në stuhinë e krizave paralele. Siç është për shembull rasti me Italinë dhe Turqinë tashmë një kohë – deklaroi kryeministri frek Aleksis Cipras.

Edhe pse kryeministrat kanë hezituar të konfirmojnë, propozimi që ditëve të fundit përflitet në media është “Republika e Maqedonisë Veriore”. Brenda ditës Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov do ta takojë Presidentin, Gjorge Ivanov për ta informuar për negociatat për emrin. Ky i fundit që një ditë më parë kërkoi të informohet për rrjedhën e bisedimeve./am/