Në Shkup nisi punën fabrika për prodhimin e paneleve fotovoltaike diellore dhe termale. Procesi i automatizuar, në vit do të prodhojë panele fotovoltaike prej 20 megavatë. Nëse tregu ka nevojë për më shumë prodhim, brenda tre muajsh, kapaciteti prodhues mund të dyfishohet, tha drejtori i “Piksell Group”, Goran Paunov.

“Si investim i Braufild deri në fund të vitit janë planifikuar të investohen rreth 5 milionë euro ndërsa për momentin në “Piksell grup” janë të punësuar 20 persona, por nëse arrijmë në punë me dy ose tre turne, mund ta rrisim numrin e të punësuarve të rinj”, tha Goran Paunov, drejtor i “Piksell Group”.

Në vitin e parë të punës, janë planifikuar të prodhohen 4 lloje të paneleve fotovoltaikë, informoi Paunov, duke shtuar se përveç cilësisë, kjo do të sjellë edhe konkurrencë në çmim në tregun vendor dhe atë të huaj. Kryeministri Zaev, i shoqëruar nga zyrtarë të kabinetit të tij, tha se energjia diellore duhet përdoret si gjenerator i rritjes ekonomike.

“Angazhimi ynë në politikat energjetike është që ta rrisim prodhimin vendor të energjisë elektrike dhe t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet dhe potencialet natyrore që i kemi. Ligji i ri për energjetikë tashmë është votuar në Kuvend dhe po fillojmë procesin që e afron Maqedoninë me standardet evropiane”, tha Zaev.

Zaev gjithashtu tha se investime të këtilla të teknologjisë së lartë janë prezantim i Maqedonisë në hartën e biznesit në botë, sipas tij, arritjet e qëllimeve të biznesit janë edhe rritje e bruto prodhimit vendor.

Një nga synimet e qeverisë është pikërisht rritja ekonomike, ndërsa lobime të shumta janë bërë për nxitjen e investimeve të reja, si vendore po ashtu edhe të huaja. Optimizmi i zëvendëskryeministrit i angazhuar për çështje ekonomike Koço Angjushev, është që Maqedonia në 2018-tën të arrijë 3.2% të bruto prodhimit vendor. Në të njëjtat ujëra qëndrojnë edhe shifrat e një hulumtimi të bërë nga “Erste Group” nga Austria, i publikuar në portalin ekonomik “See-News”. Sipas këtij hulumtimi, në vitin 2018, BPV pritet të në 3%.

Përgatiti: Besir Arifi