Ky djalosh vuan nga autizmi dhe për të hequr një dhëmballë i është dashur të futet në anestezion total.

Fëmijët me nevoja të veçanta kanë pritur më shumë se dy vjet për një trajtim mjekësor në Kliniken Stomatologjike të Qendrës universitare “Nënë Tereza”. Prindërit thonë se fëmijët e tyre kanë mbetur peng për shkak të mos-funksionimit të një aparature. Por, në tre muajt e fundit pas blerjes së aparaturës së re ata shprehen të kënaqur me shërbimet stomatologjike.

“Ka diagnozën e autizmit dhe nuk mundet që të marrë shërbimet mjekësore si të tjerët, nuk mund t’i mjekojë dhëmbët, andaj duhet patjetër me anestezion në të gjithë trupin. Tani jam i kënaqur me shërbimin e mjekëve, na pranuan me kohë sipas terminit”, tha Spase Shutinovski, Prind.

Nga reparti i anestezionit dhe reanimacionit të Klinikës stomatologjike për fëmijët me nevoja të veçanta, thonë se të gjitha shërbimet mjekësore duhet të kryhen gjatë një intervenimi. Kryeinfermierja e këtij reparti, Sillvana Vellkovska thotë se fëmijët me të meta psikike nga frika krijojnë situata paniku dhe mjekët nuk janë në gjendje që të kryejnë shërbimet mjekësore pa dhënien e anestezionit total.

“Pacientët që kanë probleme, nuk bashkëpunojnë me stomatologët, kështu që jemi të detyruar tu japim anestezion total. Për këtë arsye, duhet të caktohet termin për tu kontrolluar nga anesteziologu. Pasi që ai të japë pëlqimin se pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe mund ta përballë anestezionin, pason faza e dhënies së anestezionit total”, tha Silvana Vellkovska, kryeinfermiere.

Nga drejtoria e Klinikës së stomatologjisë thonë se para tre muajve ka arritur aparatura e re për shërbimin e anestezionit dhe reanimacionit. Sipas drejtoreshës Amella Cana, për dy vjet sa nuk ka punuar kjo aparaturë, lista e pritjes për kurim të dhëmbëve ka arritur numrin e rreth 490 fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Filluam që të organizohemi, që të fillojmë me punë nga që se kishte kërkesa shumë nga prindërit e fëmijëve me nevoja të posaçme. Bëmë një kontratë me klinikat e ndryshme për të angazhuar anesteziolog pasi që në klinikën tonë nuk kemi të punësuar anesteziologë. Dhe filluam të punojmë me intensitet të lartë, duke e zvogëluar listën e pritjes në 250 persona, gjegjësisht e ulëm për 50% numrin e pacientëve, të cilët i kishim në listën e pritjes”, tha Amella Cana, drejtoreshë e Klinikës së Stomatologjisë.

Sipas familjarëve që kanë fëmijët me nevoja të veçanta, dy vjet me radhë e kanë pasur të vështirë tu gjejnë çaren fëmijëve të tyre, kur kanë pasur dhimbje dhëmbësh. Disa prej tyre thonë se për heqjen e një dhëmballe me anestezion total, është dashur tu drejtohen klinikave private, shërbime të cilat iu kanë kushtuar rreth 500 euro. Ndërsa, ata që nuk kanë mundur financiarisht të përballojnë këtë kosto, thonë se fëmijët e tyre i kanë shëruar me ilaçe popullore.

Përgatiti: Adnan Qaili