Parkun Kombëtar të Divjakës e vizituan këtë fundjavë 50 turistë norvegjezë, që së bashku me informacionin e marrë rreth këtij parku, bënë të mundur ta vizitonin nga afër dhe të linin përshtypjet e tyre mbresëlënëse.

Në Shtëpinë e Pritjes, në hyrje të parkut, norvegjezët u pritën nga Drejtori Ardian Koçi dhe stafi teknik.

Pasi u njohën me historikun e parkut, florën dhe faunën e tij të rrallë, me të dhëna të tjera turistike, ata u shoqëruan nga guidatorët e parkut në vendet më të kërkuara të tij, siç janë Ishulli i Pelikanit, godullat e shpendëve ujorë dhe vija bregdetare e pishave.

Së bashku me turistët norvegjezë, ishin vizitorë edhe 110 studentë të degës Histori-Gjeografi të Universitetit të Elbasanit dhe 60 studentë nga Universiteti i Shkodrës.

Tashmë Parku i Divjakës është kthyer në një atraksion turistik të vizitueshëm në çdo ditë të vitit.(atsh)

Artikulli paraprakMickovski: Qeveria tenton të krijojë depresion kolektiv
Artikulli tjetër“Bisha” amerikane, të cilës ia kanë frikën Kina dhe Rusia: Nëndetësja e fuqishme, që po tmerron fuqitë e mëdha (Video)