Moti i nxehtë me temperatura përvëluese u ka marrë jetën të paktën 180 personave në Pakistan, duke mbushur me kufoma morgjet e spitaleve. Ndërkohë, autoritetet druhen se situata do të përkeqësohet në ditët në vijim.

Dhjetëra persona kanë humbur jetën në Pakistan, si pasojë e valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin. Numri më i lartë i viktimave është regjistruar në qytetin më të madh të vendit, Karaçi, ku temperaturat në ditët e fundit kanë arritur në 42 gradë Celsius.

Autoritetet lokale kanë bërë me dije se numri i trupave të pajetë që kanë mbërritur në morgun e qytetit në ditët e fundit ka qenë dyfishi i mesatares. Faisal Edhi, drejtues i një organizate shëndetësore, ka deklaruar se në 4 ditët e fundit janë numëruar 180 viktima.

Sipas tij, shumica e rasteve kanë qenë vdekje të papritura për shkak të të nxehtit vrastar. Vala e të nxehtit përkon me nisjen e muajit të Ramazanit, kur miliona pakistanezë të përkushtuar agjerojnë, duke hequr dorë nga ushqimi dhe uji nga lindja e diellit deri në perëndim.

Departamenti Meteorologjik i Pakistanit ka paralajmëruar ndërkohë se në 3 ditët e ardhshme në Karaçi por jo vetëm do të mbizotërojë një mot shumë i nxehtë, që do të arrijë deri në 44 gradë Celsius.

Autoritetet por edhe qytetarët druhen se mos përsëritet vala e të nxehtit të vitit 2015, kur morgjet e spitaleve u mbushën me trupat e pajetë të 1.300 personave, shumica e të cilëve kishin humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta./abcnews.al

Artikulli paraprakBashkëshortet e luftëtarëve të ISIS dënohen me vdekje
Artikulli tjetërParashikimi i motit