Xhavit Haliti thotë ka bërë shumë “luftë” për të mos u vrarë e për të mos u marrë peng Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në kohën e luftës.

“Unë kam bërë luftë me njerëz që kanë dashur të shkojnë ta marrin peng Bujar Bukoshin në Gjermani, se nuk po i jep paratë”, ka thënë Haliti.

“Madje, ka pas një rast që kanë dashur edhe ta vrasin në Tiranë. Ç’është e vërteta e kemi shpëtuar situatën bashkë me kryeministrin e Shqipërisë. Kam pasur angazhim personal që të mos ndodh ajo vrasje në Kukës”, ka thënë Haliti, teksa ka përmendur edhe emrat e Kudusi Lames e Fatos Klosit si të përfshirë në përgatitjen e të gjithë logjistikës për të pamundësuar vrasjen e Bukoshit.

“Kemi arrestuar disa nga njerëz tonë në Kukës nga frika që mund të implikohen në atë punë, dhe ka shpëtuar për fat”, ka thënë tutje Bukoshi.

Ai ka thënë se është e vërtetë që ka ndodhur një takim mes Bujar Bukoshit, me Hashim Thaçin, ku ka marrë pjesë edhe ai, Rexhep Selimi, Ahmet Krasniqi. Kemi takuar edhe Fatos Nanon.

“Kemi qenë bashkë. Është e vërtetë që Hashim Thaçi të udhëheqë bisedimet dhe është e vërtetë që ka kërkuar që paratë të përdoren për luftën e UÇK-së. Nuk ka pasur ultimatum”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.

Ai ka thënë se është e vërtetë edhe se pas këtij takimi është lëshuar një komunikatë nga Qeveria e Kosovës me firmën e Bukoshit që nuk ka dy ushtri, ka vetëm Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

Haliti ka ripërsëritur se nuk dëshiron të flasë tash për këto çështje.

“S’dua të flas tash. Nuk dua të bëj atkakuzë ndaj Bukoshit. Ashtu kështu tash është në gjendje të rëndë shëndetësore. Le t’ia lëmë gjyqësorit”, ka thënë Haliti në “Rubikon” të KTV-së.