Pas dënimit të dhjetra zyrtarëve nga radhët e Partisë Popullore për korrupsion, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy do të përballet me një mocion mosbesimi. Partia Socialiste konfirmoi se do të sfidojë kreun e partisë qeverisëse në parlament dhe do të kërkojë shkarkimin e tij.

Opozita e Spanjës do të sfidojë kryeministrin Mariano Rajoy me një mocion mosbesimi. Burime nga Partia Socialiste konfirmuan lajmin këtë të premte, një ditë pasi Gjykata Kombëtare dënoi dhjetra zyrtarë të Partisë Popullore për zhvillimin e një skeme korruptive prej miliona eurosh brenda kësaj force politike nën drejtimin e Rajoy.

Sfida e socialistëve do të shtyjë Partinë e Qytetarëve, që deri më tani ka mbështetur qeverinë e pakicës së kryeministrit në parlament, të marrë një vendim nëse do të mbështesë votimin. Ndërkohë, partia anti-establishment Podemos ka shprehur gatishmërinë për të votuar shkarkimin e kryeministrit Rajoy.

Socialistët opozitarë paraqitën mocionin e tyre në Parlament, ndërsa partia e qendrës së djathtë “Ciudadanos”, dikur aleate e Rajoyt, lëshoi një ultimatum.

“Nëse Rajoy nuk shpall zgjedhjet e parakohshme, ne do të jemi të gatshëm në paraqesim mocionin tonë të mosbesimit, në mënyrë që të mundësojmë mbajtjen e zgjedhjeve”, tha në një konferencë shtypi Jose Manuel Villegas, përfaqësues i lartë i “Ciudadanos”.

29 ish-zyrtarë të Partisë Popullore dhe bashkëpunëtorë të tyre u dënuan me 351 vite burg në total për rolet e tyre në fondet e fshehta të partisë mes viteve 1999 dhe 2005. Një tjetër hetim penal në lidhje me çështjet e partisë nga viti 2005 pritet të fillojë në muajt në vijim./sn/