Ditën e sotme në disa media ka qarkulluar lajmi se drejtuesi i Opinion, Blendi Fevziu është duke diskutuar kalimin në Top Channel.

Portali Politiko.al shkruan se nga burime të afërta me Fevziun lajmi është i vërtetë.

Portali shkruan se negociatat janë shtrirë në tre palë, ku i përfshirë është edhe pronari i Tv Klan, Aleksandër Frangaj, për shkak të historisë së gjatë të bashkëpunimit mes tyre.

“Burimet theksojnë se Fevziu e kërkon ndryshimin jo për çështje financiare, por si ‘koncept kulturor’.

Një gjë tjetër që e ‘josh’ Fevziun drejt Top Channel është edhe drejtori i ri i këtij televizioni, Ben Blushi, një mik i gazetarit, por edhe një vërsnik, jo vetëm moshor, por edhe kulturor.”-shkruan Politiko.

Lëvizja e Fevziut nëse rezulton e vërtetë do të jetë transferimi më historik në ‘merkaton’ e televizioneve shqiptare.

Gazetari ka mbi 20 vite që qëndron në Klan duke refuzuar edhe të tjera oferta, si ajo e para disa viteve nga Agon Channel.

Po me Ylli Rakipin çfarë do të ndodhë?

Nëse Fevziu do kalojë në Top Channel, mundësitë janë të shumta që drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi të lirojë të enjten për “Opinion”.

Një tjetër thashethem që qarkullon këto ditë në media është pretendimi se Ylli Rakipi ka patur debate të shumta me Ben Blushin, duke konsideruar edhe mundësinë e mbylljes së këtij emisioni në këtë fund sezoni.

Rakipi vitin e shkuar kur Fevziu kishte 20-vjetorin e Opinion, nuk e fshehu “zemërimin” për vëmendjen që zuri në media përvjetori i këtij emisioni.

Shkruante Rakipi:

“Në këtë festë, njeriu i mirë dhe i pafajshëm, Blendi Fevziu, ka thirrur dhe ka vendosur në rresht, mbarë botën shqiptare. Parlamenti i Kosovës ka anulluar për ditën e sotme, seancën për formimin e qeverisë së re, vetëm që krerët të ishin të pranishëm në festën e Fevziut. Në këtë festë është e pranishme e gjithë qeveria e Republikës së Shqipërisë, edhe kjo ende e pa mandatuar, me në krye zotin Edi Rama. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vrapuar të jetë në krye të festës së Fevziut.

Kryeministri i qeverisë në formim të Kosovës, Ramush Haradinaj, krerët shqiptarë të Maqedonisë. Ilir Meta, që sigurisht nuk mungon në asnjë festë apo ditëlindje. Kryetari, tashmë i shkrirë i opozitës, Lulzim Basha. Njerëzit më të famshëm dhe më të kamur të botës Shqiptare, elitat politike dhe intelektuale të vendit. Dhe jo vetëm kaq.

Për 20 vjetorin e Opinionit, po gatuajnë gjellëbërës dhe kuzhinierë të ndritur, po sfilojnë vajza të përndritura. Dhe sigurisht nuk mungon Henri Çili, këtë herë me një gjetje origjinale, me albumin me fotografitë e Fevziut, nga foshnjëria deri në këtë 20 vjetor, botim i posaçëm i UET-së. Baton Haxhija, korrieri suprem Kosovë – Shqipëri, ka ditë që është paraqitur dhe lëviz gjithandej shend e verë.

Të gjithë të gjallët janë prezent në 20 vjetorin e Opinionit, por edhe të gjithë të vdekurit, që kanë parakaluar në emision këto 20 vjet. Shqipëria ka ndalur frymën para Blendi Fevziut. S’ka ndodhur një pjesëmarrje dhe solemnitet i tillë, që nga koha e vdekjes së Enver Hoxhës. Lajmet për çmendurinë e Liderit Suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kanë kaluar në plan të dytë dhe kjo, sepse çmenduria, siç thonë, del me çmenduri.

Një çmenduri më e madhe ka përfshirë sot gjithë botën shqiptare, në rajon dhe më gjerë. Lajmet me stuhitë dhe uraganet, që kanë pushtuar Amerikën kanë ndaluar. Uragani Irma, është zëvendësuar nga uragani Fevzi. Sandri është detyruar të bëjë atë që nuk ja ka marrë mendja kurrë, ka ndaluar për 24 orë novelat Turke.“

Asgjë nuk dihet me siguri, por merkatoja e verës sapo ka filluar. Fushata zgjedhore fillon pas pak muajsh dhe lëvizje të reja pritet të ndodhin. Lëvizja e Fevziut padyshim që do ishte një ndër lajmet më të rëndësishme për median këtë verë.