Sekretari i përgjithshëm i kombeve të bashkuara Antonio Guterres i ka kërkuar Donald Trump të mos tërhiqet nga marrëveshja ndërkombëtare që synon të parandalojë Iranin në sigurimin e armëve bërthamore.

Guterres tha në një intervistë për BBC se kishte një rrezik të vërtetë lufte nëse marrëveshja e vitit 2015 nuk do të mbetej në fuqi.

Trump ka qenë një kritik i zëshëm i marrëveshjes në të cilën Irani bie dakord të kufizojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Presidenti amerikan ka kohë deri më 12 maj për të vendosur nëse do t’i qëndrojë apo jo marrëveshjes.

Sipas Guterres ndërkohë marrëveshja është një fitore e rëndësishme diplomatike dhe duhet të ruhet.

Ne nuk duhet ta prishim atë vetëm në rast se kemi një alternativë më të mirë – tha ai duke shtuar se jetojmë në kohë të vështira.

Ky apel i Guterres vjen vetëm pak ditë pasi Izraeli bëri publike dosjet e fshehta bërthamore dhe akuzoi Iranin se kishte vijuar me përpjekjet e tij për ndërtimin e armëve bërthamore, fshehurazi.

Sekretari i shtetit, Mike Pompeo tha se dosjet provonin se marrëveshja bërthamore e erës Obama, ishte ndërtuar mbi gënjeshtra.

Aleatët evropianë, Franca, Britania dhe Gjermania ndërkohë kanë rënë dakord t’i qëndrojnë besnik marrëveshjes aktuale me Iranin pasi sipas tyre ajo është mënyra më e mirë për ta ndaluar vendin islamik që të zhvillojë armët bërthamore./TCH/

Artikulli paraprakMot i ndryshueshëm dhe me vranësira
Artikulli tjetërKombet e Bashkuara, Shqipëria nuk shihet më si aleat strategjik i SHBA