Ish-ministri i financave, Xhevdet Hajredini e ka cilësuar si të pakuptimtë dhe qesharake kumtesën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për vizitën e kreut të BDI-së në Prishtinë, Ali Ahmeti, ku ai e ka trajtuar si “lider i shqiptarëve”.

“Kumtesa e kryeministrit Ramush Haradinaj nga takimi me Ali Ametin duket e pakuptimtë, të mos them edhe qesharake. Nuk ka bazë të trajtohet ‘lider i shqiptarëve’ dhe ‘përfaqësues i vendit’ kryetari i një partie, për të cilën kanë votuar vetëm një e treta e votuesve shqiptarë ose vetëm pak më tepër nga ata që kanë votuar për partinë e Zaevit.

Z. Kryeminister, Ju ‘shumë tema të rëndësishme për të dyja vendet’ mundeni ti bisedoni, dakordoni dhe gjeni zgjidhje vetëm në takim me përfaqësuesin legjitim të vendit, kryeministrin Zoran Zaev. Përndryshe, kjo kumtesë, njësoj si ajo e Ilir Metës para disa ditëve, nuk është asgjë tjetër, veçse një propagandë e vrazhdë partiake dhe promovim personal në kohën kur më shumë i nevojitet kjo kryetarit të BDI-së, për shkaqe personale”, ka shkruar ish-ministri Xhevdet Hajredini në profilin e tij në facebook.

Kryeministri Haradinaj në profilin e tij në facebook lidhur me pritjen e Ahmetit ka shkruar:

“Pata kënaqësinë të pres në takim liderin e shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmetin, me të cilin bashkëbiseduam për shumë tema të rëndësishme për të dyja vendet. U dakorduam që të angazhohemi bashkërisht që t’u gjejmë zgjidhje shumë çështjeve të rëndësishme, të cilat presin prej kohësh”.