Carlo Cottarelli do të jetë kryeministri i ri i Italisë, i cili është mandatuar nga Presidenti Sergio Mattarella pas tërheqjes se Guiseppe Conte, i propozuar nga aleanca mes Lega Nord dhe 5 Yjet për të formuar qeverinë e re.

“Do të dal para Paralamentit për të prezantuar një ligj për bilancin, e në rast besimi do të qëndroj deri në fillim të 2019-s. Në rast të kundërt do jap dorëheqjen e vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas muajit gusht”, kjo ka qenë deklarata e ekonomistit Cottarelli, i cili e ka pranuar me rezerva detyrën e caktuar nga presidenti Mattarella.

Sipas “Tgcom” janë të shumta partitë që kanë deklaruar qëndrimin kundër qeverisë që do të formojë Cottarelli.

Giuseppe Conte, i mandatuar për krijimin e qeverisë së re në Itali, hoqi dorë nga detyra pasi Presidenti Sergio Matarella refuzoi të zgjedhurin e tij për postin e ministrit të Ekonomisë, euroskeptikun Paolo Savona.

Kandidati për kryeministër i koalicionit të partive populiste Lëvizja e Pesë Yjeve dhe Lega Nord, i paraqiti të dielën Matarellës listën me të zgjedhurit e tij për kabinetin e ri, me shpresën se më në fund do të ishte në gjendje të krijonte qeverinë.

Por, kreu i shtetit italian i vuri veton kandidatit për ministër të Ekonomisë, i cili, sipas tij do të udhëhiqte vendin drejt daljes nga eurozona./TCH/