Kriza politike e Italisë hyri në “ujëra” të patestuara më parë këtë të mërkurë, teksa kreu i shtetit tentoi një kompromis të minutës së fundit politik për t’i dhënë fund përpjekjeve 3-mujore për formimin e një qeverie dhe rikthimit të qetësisë së tregjeve financiare.

Kryeministri i caktuar Carlo Cottarelli, i ngarkuar nga presidenti me detyrën e sheshimit të tensioneve dhe hartimit të planeve për zgjedhjet e parakohshme nga mesi i këtij viti, ringjalli shpresat për një pakt këtë të mërkurë, me komentet që sugjerojnë se kompromisi është ende i mundshëm.

Italia ka tentuar të formojë një qeveri që prej zgjedhjeve të muajit mars, që nuk nxorrën asnjë parti fituese të qartë.

Dy partitë “antiestablishment” dhe euroskeptike shkuan shumë pranë formimit të një qeverie koalicioni fundjavën e kaluar, por u tërhoqën kur presidenti kërkoi një ndryshim në kabinetin qeveritar, duke mos miratuar kandidatin për ministër të Ekonomisë.

“Lëvizja 5 yjet” dhe “Lega Nord” e ekstremit të djathtë braktisën tentativën e tyre për marrjen e pushtetit për të bashkëqeverisur, pasi presidenti Sergio Mattarella vendosi veton ndaj 81-vjeçarit Paolo Savona, të përzgjedhur për postin e shefit të Ekonomisë.

Situata e krizës politike është rënduar edhe më tej me mundësinë e zgjedhjeve të reja, më vonë gjatë këtij viti, gjë që ka shkaktuar edhe tronditje të tregjeve financiare./sn/

Artikulli paraprakANALIZA: Emigranti-spajdermen dhe kombi i heronjve i presidentit Macron: Ja përse ka kritika në Francë
Artikulli tjetërNjë shekull më parë, kur në Shqipëri përdoreshin 25 monedha të ndryshme